Kosova

Drejtoresha e Spitalit në Mitrovicë të Veriut: Vendet e QUINT-it të reagojnë, si do t’i sigurojmë ilaçet


Drejtoresha e Qendrës Klinike dhe Spitalore në Mitrovicë të Veriut, Danica Radomiroviç

Drejtoresha e Qendrës Klinike dhe Spitalore në Mitrovicë të Veriut, Danica Radomiroviç, gjatë një konference për media ka thënë se vendimi i autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë, “ka vështirësuar punën e këtij spitali”.

“Në emër të të gjithë punëtorëve shëndetësorë, kërkojmë nga vendet e QUINT-it që të reagojnë sa më shpejt për të mos ardhur në një situatë ku serbët të zhduken nga këto zona”, tha ajo.

“Dhjetëra mijëra serbë, si dhe fqinjët tanë shqiptarë, boshnjakë, romë dhe goranë, po trajtohen në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë. Gjithashtu, mbi 1600 familje fitojnë bukën e tyre për veten dhe familjet e tyre”.

Pas ndalimit të dinarit serb në Kosovë, ajo ka theksuar se funksionimi i sistemit shëndetësor në Veri do jetë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë dhe të pafavorshme.

“Kjo nuk është vetëm një çështje e pagave. Shtrohet pyetja se si do të marrim ilaçe, mjete mjekësore, ushqime për pacientët tanë, të cilët ende kemi vështirësi të mëdha për t’i siguruar, si t’i marrim mjetet për të mirëmbajtur sallat e operacionit”, shtoi ajo.

Radomiroviç po ashtu i bëri thirrje shtetit të Serbisë që në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ata kërkuan të mbahet pas ndalimit të dinarit, “të tregojnë para gjithë botës pozitën e vështirë të popullit serb”.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb.

Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore