Lajme

Doli kundër regjimit, Gjykata iraniane e dënon me një vit tjetër burgim


Nazanin Zaghari-Ratcliffe, një grua britaniko-iraniane është “traumatizuar’ nga vendimi i Gjykatës së Apelit, për ta kthyer në burgun e Iranit, duke e dënuar edhe me një vit tjetër.

Bashkëshorti, Richard Ratcliffe, tha se bashkëshortja e tij është akoma në pritje të thirrjes nga gjykata.

Ratcliffe, i cili ka lobuar për kthimin e gruas së tij në Britani, që nga burgosja e saj në 2016-n, tha se ishte i befasuar kur mësoi për vendimin që konfirmoi një vit shtesë për dënimin e saj.

Avokati Hojjat Kermani tha se, Zaghari-Ratcliffe, ishte “e shqetësuar” kur e informoi mbi vendimin e Gjykatës së Apelit, në një seancë me dyer të mbyllura.

Gjithashtu u shpreh se ajo kishte qenë në kontakt me familjen e saj për vendimin.

Zaghari-Ratcliffe u burgos për herë të parë në vitin 2016 pasi u akuzua për komplot kundër regjimit, por këto akuza, mbështetësit e saj dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë mohuar.

Ajo u dënua me një vit tjetër, në prill, me akuzën e “përhapjes së propagandës kundër sistemit”, ndërsa mori pjesë në një protestë para Ambasadës iraniane në Londër në 2009.

E më pas kaloi vitin e fundit të dënimit të saj fillestar me kusht në shtëpinë e prindërve të saj në Teheran ndërsa Irani liroi përkohësisht mijëra të burgosur në përgjigje të pandemisë koronavirus në vitin 2020.

Vendimi fillestar i gjykatës kundër Zaghari-Ratcliffe ishte pesë vjet në ndalim udhëtimi jashtë vendit.

Viti shtesë i dënimit do të thotë që Zaghari-Ratcliffe nuk mund të largohet nga Irani për t’u bashkuar me burrin e saj dhe vajzën 7-vjeçare në Londër për gati dy vjet të tjera.

Ratcliffe tha se ai mbajti një takim strategjik me Zyrën e Jashtme Britanike më 15 tetor duke parashikuar se diçka do të ndodhte me apelin e gruas së tij gjatë vjeshtës.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha në një deklaratë më 16 tetor se vendimi i Iranit për të vazhduar me akuzat “të pabaza” kundër Zaghari-Ratcliffe ishte një “vazhdim i tmerrshëm i përvojës mizore që po kalon”.

E punësuar nga Fondacioni Thomson Reuters, krahu bamirës i agjencisë së lajmeve Reuters, Zaghari-Ratcliffe u mor në paraburgim në Aeroportin Ndërkombëtar të Teheranit Imam Khomeini në Prill 2016 kur ajo u përpoq të kthehej në Britani pasi vizitoi familjen në Iran.

Grupet e të drejtave akuzojnë Iranin se mban shtetas të dyfishtë si marrëveshje për para ose ndikim në negociatat me Perëndimin. Teherani e mohon akuzën.

 

Marrë nga Radio Evropa e Lirë, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore