Shqipëria

Dita Kombëtare e Suedisë, flasin shqiptarët në Suedi për AP-në


Ambasada e Suedisë në Shqipëri, nëpërmjet profileve të saj zyrtare ka festuar në mediat sociale, Ditën Kombëtare të Suedisë.

Në video-mesazhin e publikuar të dielën e 6 qershorit, ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad, së bashku me një bandë muzikore ka uruar të gjithë suedezët dhe shqiptarët që ndodhen në Suedi, për festën tradicionale të Ditës Kombëtare të Suedisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dërguar një urim ‘virtual’ për Ditën Kombëtare të Suedisë, qytetarëve dhe qeverisë suedeze. Ndërkaq, Ministria nëpërmjet komunikimit, vlerëson partneritetin dhe përpjekjet për ndryshim të Suedisë, në Shqipëri.

“Unë në Suedi ndihem shumë mirë”, shprehet Erion Beqiraj për Albanian Post. Beqiraj punon si IT në një kompani vendase dhe njëkohësisht punon me kohë të pjesshme si agjent futbolli.

Sa i takon dallimeve dhe ndryshimeve midis Suedisë dhe Shqipërisë, ai thotë se njerëzit në Suedi janë më të ftohtë, nisur nga klima e acartë, dhe shqiptarët ndërkaq konsiderohen si popull mjaft mikpritës.

Për Suedinë, ai thotë se është një vend mjaft i bukur dhe me ekonomi mjaft të zhvilluar. Beqiraj ia sugjeron secilit prej të rinjve shqiptarë, Suedinë, me motivin që është një vend shumë ‘miqësor’ për rininë me politikat e saj.

Sipas tij, qytetarët suedezë janë më të ndërgjegjshëm se shqiptarët. Ai merr shkas nga situata më e fundit pandemike për të cilësuar se Suedia ishte vendi i fundit që mori masa ndaj Covid-it. Kjo, pasi njerëzit qenë ndërgjegjësuar vetë ndaj rrezikut të virusit.

Sakaq, Beqiraj shton se masat e mbajtura, si distancimi fizik, ashtu edhe përdorimi dhe mbajtja e maskës erdhën si pasojë e vetë-ndërgjegjësimit.

“Unë mendoj se Suedia është një shembull pozitiv se si duhet të funksionojë një vend. Këtu, tingëllimi i fjalës “i papunë” është i çuditshëm sepse thuajse gjithë popullsia punon, ka një mirëqenie mjaft të zhvilluar dhe është një nga vendet me jetëgjatësinë më të madhe në botë” deklaroi Beqiraj.

Ndërkaq, për Klajdi Zaloshnjan, një të ri që ka studiuar në Itali dhe ka qenë më pranë natyrës “mesdhetare” të shqiptarëve, përshtatja ka qenë e vështirë por jo e pamundur. Zaloshnja është një student për biznes dhe politika ndërkombëtare në Universitetin e Stockholm-it.

Ai shprehet për Albanian Post se ardhja në Suedi dhe të jetuarit me shtëpinë tënde, me të krijuarit të një familjeje të hap një horizont të ri për qasjen dhe mendësinë suedeze brenda asaj “nordike”.

Festa e Ditës Kombëtare në Suedi, sipas tij, ka ceremoni tradicionale që më së shumti lidhen me origjinën mbretërore dhe ndarjet sociale të periudhave të ndryshme kohore.

Kjo nuk i ndalon të rinjtë, apo ato që janë më pak të përfshirë me historinë e Suedisë, që të festojnë sipas kushteve dhe dëshirave të tyre. Për Zaloshnjan, “dallimi mes dy vendeve është në qasjen e qytetarëve ndaj gjërave të përditshme, që nga ‘moskokçarja’ që nuk nënkupton domosdoshmërish të qenurit asocial.

“Suedia ka burokracitë e saj, njësoj si Shqipëria”, cilëson Zaloshnja kur kujton procedurat e dokumenteve të imigrimit apo trokitjes nëpër zyrat suedeze.

Ai e konfirmon që Stockholm-i është tepër miqësor dhe i hapur për të rinjtë. “Suedia”, shton ai, “është bërë një vend shumë i diversifikuar me popuj dhe komunitete të rinjsh, ku më së shumti mbizotërojnë studentët ndërkombëtarë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore