Kosova

“Dita e Forcës”, ekspozohen armët e FSK-së – kazermën “Adem Jashari” e vizitojnë liderët shtetërorë


Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se me rastin e “Ditës së Forcës”, këtë të hënë të 27 nëntorit duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00 organizohet manifiestimi qendror i cili do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere të Kosovës.

Po ashtu sipas njoftimit të kësaj ministrie, në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.

“Gjithashtu, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, ju ftojmë të që të pasqyroni koncertin e bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës, që do të mbahet në Sallën e Kuqe- Pallati i Rinisë”, thuhet në njoftim.

Të dielën, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se gjatë tri vjetëve të fundit janë shkolluar jashtë vendit 3459 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, derisa ka treguar se FSK-ja po vazhdon të forcohet me sistemet moderne të armatimit.

“Në vigjiljen e 27 Nëntorit, Ditës së Forcës, theksojmë me krenari se FSK po zhvillohet me hapa të shpejtë në forcë profesionale sipas standardeve të NATO-s. Gjatë këtyre tre viteve janë trajnuar e shkolluar jashtë vendit 3459 ushtarakë, apo rreth 123% më shumë se në qeverisjet e kaluara”, shkroi ai në Facebook.

“Do të vazhdojmë investimin në ngritjen e kapaciteteve profesionale krahas ngritjes së kapaciteteve operacionale, furnizimin me sistemet më moderne të armatimit”.

Ai ka potencuar se FSK-ja garanton siguri për qytetarët dhe mbrojtje të territorit të Kosovës.

Buxheti për vitin 2024 në fushën e mbrojtjes sipas Qeverisë së Kosovës, do të jetë në vlerë prej 153 milionë euro, apo 30 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Albin Kurti më 31 tetor, i cili tha se rritja e buxhetit prej 30 milionë euro nga viti paraprak, tregon përkushtimin e tyre në fushën e sigurisë.

Ndryshe më 16 nëntor, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë eurove, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore