Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, Dhoma e Avokatisë: Do përshkallëzojmë qëndrimin tonë

Rajmonda Basha
01.06.2024 15:42
Loading Icons...

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka bërë një tjetër reagim lidhur me dhunën që u ushtrua ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Përmes një deklarate, Dhoma e Avokatisë shprehet e shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Mëngjesit, ndërsa shton se qëndrimet denigruese për figurën e avokatit nxisin dhunën kriminale ndaj tyre.

Gjithashtu, Dhoma e Avokatëve vëren se dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi nuk është dënuar nga trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Dhuna ndaj avokatit është dhunë ndaj drejtësisë, ndaj gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit e noterit. Komiteti Drejtues i Dhomës, për këtë ngjarje të rëndë kriminale, shpreh keqardhjen për mungesën e një qëndrimi apo dënimit të tij, nga trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për atë ç’ka i ndodhi kolegut tonë“, thuhet më tej në deklaratë.

Dhoma e Avokatëve paralajmëron përshkallëzimin e qëndrimit në mënyrë që dhuna ndaj avokatëve të mos tolerohet.

“Duhet të bëjmë me dije që ligjvënësi në një nen të veçantë të Kodit Penal, për shkak të rolit dhe veprimtarisë të rëndësishme publike, vë në mbrojtje të cilësuar subjekte të tilla si deputetin, gjyqtarin, prokurorin, avokatin, ushtarakun dhe një sërë subjektesh që ushtrojnë funksione publike. Dhoma e Avokatisë do të përshkallëzojë qëndrimin e saj me qëllim mostolerimin e dhunës fizike apo psikike ndaj avokateve, si dhe në mbrojtje të dinjitetit profesional dhe interesave të jetës shëndetit e familjarëve të tyre”.

Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, Gjykata cakton masën “arrest në burg” për autorët

Dhuna ndaj Sokol Mëngjesit/ Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë: Nuk është rast i izoluar

Të fundit

Aktuale