Dhuna ndaj Sokol Mëngjesit/ Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë: Nuk është rast i izoluar

Brixhilda Xhuraj
29.05.2024 14:20
Loading Icons...

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë këtë të mërkurë të 29 majit ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Në një deklaratë, Dhoma dënon ashpër dhunën duke evidentuar se ky nuk është rasti i parë që sulmohen fizikisht apo psikologjikisht avokatët në Shqipëri.

Ajo i ka bërë thirrje autoriteteve të zbardhin ngjarjen në një kohë sa më të shkurtër, ndërsa ka shtuar se janë besimplotë që reagimi do të jetë kambanë alarmi për organet ligjzbatuese.

“Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cenojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht”.

Më tej, Dhoma e Avokateve garanton të gjithë avokatet në Republikën e Shqipërisë se ajo do të jetë në krah të çdo avokati ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.

“Shprehemi besimplotë se reagimi ynë do të shërbejë si kambanë alarmi për organet ligjzbatuese jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të tjera që cenojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre”.

Ishte Policia e Shtetit ajo që njoftoi se rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat.

Ai është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjendja e tij shëndetësore është normale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Të fundit

Aktuale