Lajme

Dënohet me burgim të përjetshëm narratori i videove të ISIS-it


Një gjykatë amerikane ka dënuar me burgim të përjetshëm një shtetas kanadez i cili prodhonte dhe shfaqte video propagandistike për grupin e Shtetit Islamik (IS).

Mohammed Khalifa me origjinë saudite u shpall fajtor për komplot duke i ofruar mbështetje materiale për grupin terrorist.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se Khalifa, 39 vjeç, kishte qenë një “figurë e frikshme” brenda IS dhe vrau personalisht dy ushtarë sirianë të robëruar.

IS u mund nga forcat irakiane dhe një koalicion i udhëhequr nga SHBA-të në 2017.

Por grupi ende mban një prani në Irak, Siri dhe Afganistan, si dhe në Bririn e Afrikës dhe Afrikën Perëndimore.

Prokurorët amerikanë thonë se Khalifa ofroi rrëfim në anglisht për 15 video propagandistike që lavdëronin vrasjet e tmerrshme të krijuara për të nxitur sulme dhe për të rekrutuar të tjerë në grup.

Khalifa, i cili u rrit në Toronto, udhëtoi për në Siri në pranverën e vitit 2013 dhe iu bashkua IS-it atë nëntor. Ai punoi në operacionin mediatik të IS-it deri në fund të vitit 2018.

Vetëm në vitin 2014, njësia publikoi video të prerjes së kokave të gazetarëve amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff, dhe të punonjësve britanikë të ndihmës Alan Henning dhe David Haines.

Në janar 2019, Khalifa u kap në Siri nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), një milici e mbështetur nga SHBA-të, e udhëhequr nga kurdët.

I armatosur me tre granata dhe një AK-47, ai, i vetëm, kishte kryer një sulm në një pozicion të SDF-së në Abu Badran, Siri, tha departamenti i drejtësisë amerikane.

Ai hodhi një granatë ndaj forcave të SDF-së në çatinë e kompleksit, përpara se të vraponte brenda ku u përfshi në një përleshje me armë me një ushtar në shkallë.

Khalifa gjuajti pjesën më të madhe të municionit të tij përpara se t’i bllokohej arma dhe të dorëzohej.

Më pas ai iu dorëzua FBI-së.

Khalifa u deklarua fajtor për akuzat për terrorizëm dhjetorin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore