Kosova

Deklarata e Kurtit për Sigurimet Shëndetësore, Haxhiu: Publikisht e pranoi se ka dështuar në Shëndetësi


Bekim Haxhiu, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)

“Albin Kurti sot publikisht e paska pranuar se ka dështuar në sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Bekim Haxhiu.

Këto komente, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas deklaratave të Kurtit që i bëri të martën në lidhje me sigurimet shëndetësor, një premtim i tij i parealizuar deri më tani.

“Ai e paska pranuar se ka mashtruar kur ka premtuar se në mandatin e tij do të implementohen Sigurimet Shëndetësore”, shkroi Haxhiu.

Deputeti i PDK-së përmendi faktin se për 4 vjet, Kurti dhe Qeveria e tij nuk kanë arritur ta sjellin në Kuvend Ligjin për Sigurimet Shëndetësore për plotësim dhe ndryshim të disa neneve të tij.

“Gjithashtu ka dështuar në miratimin e Ligjit për Shëndetësi”.

Për 4 vjet, sipas Haxhiut, qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje “nuk kanë qenë në gjendje ta miratojnë një Strategji të Shëndetësisë”.

“Si pasojë e këtij keqmenaxhimi dhe keqpërdorimeve kemi lista të gjata të pritjes për pacientët, ikje të personelit shëndetësor”.

Albin Kurti, shton ai, si kryeministër dhe kryetar i vete-emëruar i Komisionit për Shëndetësi “është përgjegjës për dështimet në shëndetësi”, andaj, thekson Haxhiu se kreu i ekzekutivit “merret me fasada e renovime të cilat buxhetit të shtetit po i kushtojnë shumë shtrenjtë”, duke iu referuar renovimit që i është bërë Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë.

“Ju lutem shikoni kontratat e renovimit në Gjinekologji dhe Urologji, janë kriminale ato kontrata ku metri katror i renovimit paguhet rreth 2 mijë euro”.

Këta, thotë deputeti, “vjedhen gjatë pandemisë e po vazhdojnë të vjedhin edhe sot me renovime e fasada ne shëndetësi”.

“Është kriminale të shpenzohen miliona euro ne fasada e renovime me çmime astronomike e të mos shtohen kapacitetet për trajtim të pacientëve e te mbesim pa sigurime shëndetësore”, përfundoi Haxhiu.

Çka tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përurimit të renovimit së Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë se po përgatitet ligji për sigurimet shëndetësore, teksa ka theksuar se ky ligj do të miratohet në një nga mbledhjet e qeverisë këtë vit, por ka shtuar se sigurimet shëndetësore “nuk i parandalojnë sëmundjet”.

“Të mos i shohim sigurimet shëndetësore që do të na i parandalojnë sëmundjet. Sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme, ato janë zotimi ynë. Ligjin për sigurimet po e përgatisim, nëse jo në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë që mbahet nesër, në mbledhjen tjetër do të jetë për miratim, e pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvend”, tha Kurti.

Sipas tij, kur të bëhen sigurimet shëndetësore, qytetarët do të kenë një kosto shtesë pasi do të paguajnë paraprakisht për atë që mund të t’iu ndodhë më vonë.

“Për shumicën dërmuese të shërbimeve në Kosovë paguhet pak ose fare pak. Nuk është që qytetarët paguajnë sot, e nuk janë sigurimet që do të na bëjnë të paguajnë më pak. Në fillim do të jetë e kundërta. Të paguajmë njëherë, që të mos paguajmë më vonë”, shtoi.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore