Lajme

David Guetta thotë se e ardhmja e muzikës është “inteligjenca artificiale”


DJ-i në krye të klasifikimeve, David Guetta, ka thënë se “e ardhmja e muzikës është në AI” pasi ai përdori teknologjinë për të shtuar një vokal në stilin e Eminem-it në një këngë të fundit.

Muzikanti francez përdori dy faqe të inteligjencës artificiale për të krijuar tekste këngësh dhe një rep në stilin e yllit amerikan për një shfaqje live.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Producenti francez ka thënë se nuk do ta publikojë këngën komerciale.

Por ai tha se mendon se muzikantët do të përdorin Inteligjencën Artificiale si një mjet për të krijuar tinguj të rinj në të ardhmen, sepse “çdo stil i ri muzikor vjen nga një teknologji e re”.

Duke folur me korrespondentin e muzikës në BBC, Mark Savage në Brit Awards, Guetta tha: “Jam i sigurt se e ardhmja e muzikës është në AI. Sigurisht. Nuk ka dyshim. Por si një mjet”.

Guetta fitoi çmimin për producentin më të mirë në ceremoninë e së shtunës.

“Asgjë nuk do të zëvendësojë shijen”, tha ai. “Ajo që përcakton një artist është se ju keni një shije të caktuar, keni një lloj të caktuar emocioni që dëshironi të shprehni dhe do të përdorni të gjitha instrumentet moderne për ta bërë këtë”.

Guetta e krahasoi AI me instrumentet që kanë sjellë revolucione muzikore në të kaluarën.

“Ndoshta nuk do të kishte rock ‘n’ roll nëse nuk do të kishte kitarë elektrike. Nuk do të kishte acid house pa Roland TB-303 [sintetizuesin e basit] ose makinën e baterive Roland TR-909. Nuk do të kishte hip-hop pa kampionuesin. Unë mendoj se vërtet AI mund të përcaktojë stile të reja muzikore. Unë besoj se çdo stil i ri muzikor vjen nga një teknologji e re”.

Sido që të jetë këndvështrimi juaj, Inteligjenca Artificiale është këtu për të qëndruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore