Shqipëria

DASH: Populli afgan meriton të jetojë i sigurt dhe me dinjitet


Populli afgan duke u larguar nga vendi.

“Duke pasur parasysh situatën e përkeqësuar në Afganistan – ne mbështesim – po punojmë për të siguruar dhe i bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe lehtësojnë, largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi’.

Kjo ka qenë deklarata zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit të hënën e 16 gushtit në lidhje me largimin e afganëve nga vendi i tyre.

Më tej në deklaratë thuhej se, “ata që janë në pozita të pushtetit dhe autoritetit në të gjithë Afganistanin, mbajnë përgjegjësi – dhe llogari – për mbrojtjen e jetës dhe pronës njerëzore, dhe për rivendosjen e menjëhershme të sigurisë dhe rendit civil”.

Ndërkaq afganët dhe qytetarët ndërkombëtarë që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë. “Rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe qetësia duhet të ruhet”, vijonte më tej deklarata e DASH-it .

Në përfundim thuhej se, “populli afgan meriton të jetojë i sigurt dhe me dinjitet. Ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata”.

Strehimi i afganëve në Shqipëri

Lajmin për strehimin e afganëve në Shqipëri e konfirmoi vetë kryeministri, Edi Rama.

Rama ka rikujtuar edhe strehimin që iu bë muxhahedinëve në Shqipëri, me kërkesë të SHBA-ve. Mbi 2 mijë prej tyre gjetën strehim në Shqipëri, në atë që Rama e cilëson si një ngjarje që “vetëm nder i bën Shqipërisë”.

Kryeministri fakton se SHBA-të i kanë kërkuar Shqipërisë ta vlerësojë ndihmën që mund të japë me strehimin e afganëve. Kjo gjithsesi, si një procedurë tranziti, me destinacion të fundit Amerikën.

Ndërsa, për ata të cilët nuk janë dakord, thirrja e kryeministrit është e qartë: “Kjo nuk e ndryshon qëndrimin tim e të shumicës qeverisëse në emër të Shqipërisë”.

Situata aktuale në Afganistan

Kaos dhe turbulli në aeroportin e Kabulit. Është kjo pamja e zgjimit të afganëve në një botë të re, ku talebanët kanë kontrollin e vendit tashmë.

Mësymja në Presidencën e Afganistanit, ishte veçse një formalitet i zyrtarizimit të kalimit të pushtetit nga një dorë në tjetrën.

Forcat amerikane kanë lëshuar të shtëna në ajër në aeroportin e Kabulit. Mijëra qytetarë gjenden aty për të lënë shtetin.

Dëshmitarë të rastit, kanë thënë për media lokale e të huaja, se frika është e madhe.

Prioritet i fluturimeve mbeten ato të trupave diplomatikë. Ambasadat e SHBA-ve dhe vendeve të Bashkimit Evropian, janë evakuuar. Personelet gjenden në aeroport, duke pritur kthimin në shtëpi.

Nga ana tjetër, përfaqësia talebane ka bërë thirrje për të lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu shkruhet në llogarinë në Tëitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca, ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj, nuk do të lëndohen.

Largimi i Presidentit

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, ka reaguar për herë të parë pas largimit të tij nga Kabuli.

Sipas tij largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

“Kam hasur në një zgjedhje të vështirë, duhet të qëndroja përballë talebanëve të armatosur që donin të hynin në pallat ose të largohesha nga vendi i dashur që i kushtova jetën time … 20 vitet e fundit”, ka shkruar ai në median sociale Facebook.

Tërheqja e trupave

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Gjithashtu, tërheqja e fundit e Kontingjentit VI dhe atij XIII për në Shqipëri u realizua më 21 qershor.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u konfirmua për AP-në, se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të deklaruar në Afganistan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore