Lajme

DASH-i thotë që negociatat për dinarin “duhet të vazhdojnë urgjentisht” në Bruksel


Ilustrim

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), deklaroi të mërkurën në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” se negociatat për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi ndalimin e përdorimit të dinarit serb “duhet të vazhdojnë me urgjencë” në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASH-it, derisa komentoi mbi raundin e ri të negociatave ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe Serbisë që u mbajtën të martën e 27 shkurtit në Bruksel të Belgjikës nën kujdesin e BE-së.

Emisari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, pas takimeve të 27 shkurtit ku u diskutua për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, deklaroi se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe sëkëndejmi, do të nevojiten “takime shtesë” për këtë çështje edhe në të ardhmen.

Ky takim u fokusua në rregulloren e re të BQK-së, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet dinari serb në territorin kosovar. Para takimit trilateral, emisari i posaçëm evropian takoi delegacionin serb, i cili udhëhiqej nga kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pastaj guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili përfaqësoi Kosovën në negociatat teknike për dinarin.

“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi Lajçaku pas përfundimit të takimeve që u zhvilluan në kryeqendren evropiane.

Kosova refuzoi që në takimet e thirrura nga BE-ja për dinarin të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideron që çështja e rregullores së BQK-së mbi operacionet me para të gatshme nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Prandaj edhe Lajçaku specifikoi që shumë çështje politike mbeten pa përgjigje.

Ndërkaq, guvernatori i BQK-së njoftoi se në takimet për dinarin në kryeqendren evropiane nuk negociuan për çështjen e dinarit, por rreth mundësive që ofron rregullorja e BQK-së për transfer të mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë. Në këtë drejtim, ai shtoi se rregullorja e BQK-së mbetet në fuqi dhe nuk ndryshohet, përkundër presionit të bashkësisë ndërkombëtare.

E shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, pas takimeve të së martës në Bruksel për dinarin, institoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik e jo në nivel teknik, derisa akuzoi palën kosovare për “dëbim të serbëve” nga Kosova.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-sё, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit. Në zonat e banuara me shumicë serbe në vend, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore