Kosova

Daçiç e quan Kurtin “fuqi baruti”: Mund ta ndezë gjithë rajonin


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, Kosovo-online, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është faktori kryesor de-stabilitetit, derisa këtë të fundit e ka quajtur “fuqi baruti” që mund ta ndezë gjithë rajonin.

“Situata në Kosovë është shumë dramatike dhe tregon se kemi pasur të drejtë gjatë gjithë këtyre viteve kur kemi thënë se Kurti është faktori kryesor i de-stabilitetit, se është një fuçi baruti që mund të ndezë gjithë rajonin”, tha Daçiç.

Kryediplomati serb është pyetur edhe për reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian pas mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë e zyrës së një organizate joqeveritare në Prishtinë dhe ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

“Megjithatë, nëse do të jenë efektive varet vetëm nëse Kurti do t’i dëgjojë kundërshtimet e tyre. Nga praktika e kaluar kemi pasur shembuj se ai absolutisht nuk reagon ndaj presioneve që vijnë nga jashtë, sepse beson se e ka mbështetjen e disa vendeve, në radhë të parë të Gjermanisë”, potencoi ai.

Po ashtu Daçiç ka theksuar se Serbia do të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i informuar për situatën në Kosovë, derisa ka potencuar se Serbia e udhëhequr nga presidenti do të bëjë të gjitha përpjekjet diplomatike “për të qetësuar situatën në Kosovë” dhe për të vazhduar dialogun.

“Ne jemi të përkushtuar për paqe dhe dialog, por sigurisht që nuk do të lejojmë shkeljen e të drejtave themelore të njeriut të popullit serb në Kosovë”.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuara pas veprimeve të autoriteteve të Kosovës pas mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë.

ShBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë thirrje sërish Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore