Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një intervistë për mediumin serb nga Kosova, “Kosovo Online”, ka thënë se është shumë e rëndësishme që SHBA të jetë e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Akterët evropianë sigurisht e vlerësojnë angazhimin e presidentit amerikan Joe Biden dhe po, rajoni vërtetë ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së”, ka thënë Cramon.
“Asociacioni i komunave serbe është sigurisht një nga pyetjet, por ka aq shumë se çfarë komuniteti serb do të mund të bënte në këtë proces. Besoj se në dialog ka gjëra tjera urgjente, por shpresoj që qershori të paraqesë një fillim të ri në proces”.
“Përfaqësuesi special Palmer filloi të punonte nën administratën e presidentit Trump, por ai shpreson se tash mund ta vazhdojë punën e tij në mënyrën që vërtetë ndihmon bashkëpunimin multikulturor”, shtoi Cramon.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji gjatë vizitës së tij në Kosovë, zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, në një konferencë të përbashkët me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, theksoi se SHBA-ja nuk është palë në procesin e dialogut.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com