Lajme

Çmimi i biletës së metrosë në Paris do të dyfishohet gjatë Lojërave Olimpike


Gjatë Lojërave Olimpike 2024, çmimet e biletave të metrosë së Parisit thuajse do të dyfishohen.

Kështu ka bërë me dije presidentja e rajonit të kryeqytetit francez, duke shtuar se banorët me leje do të mbrohen nga rritja e përkohshme dhe se vizitorët do të paguajnë “një çmim të drejtë”.

Javën e kaluar, kryebashkiaku i Parisit paralajmëroi se shërbimet e transportit publik, të cilat ofrohen nga autoriteti rajonal, do të ishin të pamjaftueshme gjatë ngjarjeve.

Lojërat Olimpike do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht dhe ato paraolimpike nga 28 gushti deri më 8 shtator.

“Gjatë Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike, rajoni Ile de France do të rrisë në mënyrë dramatike ofertën e transportit”, ka thënë presidentja e rajonit Valerie Pecresse në mediat sociale.

“Ne do të krijojmë një leje të re, lejen e Parisit 2024, që do t’i lejojë vizitorët të udhëtojnë në të gjithë rajonin Ile de France. Do të kushtojë 16 euro në ditë dhe deri në 70 euro në javë”.

Sipas saj, një biletë e vetme e metrosë do të kushtojë 4 euro për periudhën nga 20 korriku deri më 8 shtator.

Kurse banorët e rajonit me një leje të zakonshme mujore ose vjetore nuk do të preken.

Javën e kaluar, kryebashkiaku i Parisit goditi Pecresse, duke thënë se kryeqyteti francez nuk do të ishte gati për sa i përket transportit.

Kurse ministri i Transportit e mbështeti Pecresse, duke thënë se Parisi do të ishte gati, duke shtuar se është “e rëndësishme që të mos ketë ndryshime për parisienët”.

Pecresse ka theksuar se ishte thelbësore që banorët e rajonit të Parisit të kurseheshin.

“Çmimet do të rriten në mënyrë që Lojërat Olimpike të jenë 100 për qind të aksesueshme me transport publik”, ka thënë ajo.

“Shërbimet publike kanë një kosto dhe pretendimi i kundërt është një gënjeshtër. Nëse nuk janë vizitorët ata që paguajnë, do të jetë taksapaguesi”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore