Lajme

Çmimet botërore të ushqimeve shënuan një rekord në vitin 2022


Një rritje e mprehtë e kostos së shumicës së mallrave ushqimore vitin e kaluar për shkak të ndërprerjeve të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës nxiti shqetësimet për mungesat dhe e shtyu indeksin mesatar të çmimeve në një nivel të lartë historik.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke iu referuar deklaratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Kështu, indeksi i çmimeve të ushqimit të FAO-s, i cili ndjek çmimet ndërkombëtare të mallrave ushqimore më të tregtuara në botë, ishte mesatarisht 143.7 pikë në vitin 2022.

Kjo është 14.3 për qind më shumë se në vitin 2021 dhe më e larta që nga fillimi i regjistrimeve në 1990.

Theksohet se çmimet e produkteve ushqimore u rritën ndjeshëm pas pushtimit të Federatës Ruse në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar për shkak të frikës nga ndërprerjet e tregtisë në Detin e Zi.

“Që atëherë, çmimet kanë rënë disi, pjesërisht falë kanalit të eksportit të grurit të mbështetur nga OKB-ja nga Ukraina dhe perspektivave për furnizime të përmirësuara në vendet prodhuese”, shkruan Reuters.

Në të njëjtën kohë, në dhjetor indeksi i referencës ra për të nëntin muaj radhazi në 132.4 pikë krahasuar me vlerën e rishikuar prej 135 pikësh për muajin nëntor.

Rënia e indeksit në dhjetor është ndikuar nga rënia e çmimeve botërore të vajrave bimore, si dhe disa ulje të çmimeve të drithërave dhe mishit.

Në të njëjtën kohë, rënia e indeksit është zbutur nga një rritje e vogël e çmimeve të sheqerit dhe produkteve të qumështit.

Megjithatë, për të gjithë vitin 2022, katër nga pesë nën-indekset ushqimore të FAO-s – drithërat, mishi, produktet e qumështit dhe vajrat – arritën nivele rekord, ndërsa i pesti – sheqeri – ishte në nivelin më të lartë të 10 viteve.

Indeksi i çmimeve të drithërave të FAO-s u rrit me 17.9 për qind në vitin 2022 për shkak të faktorëve të tillë si ndërprerjet e rëndësishme të tregut, rritja e çmimeve të energjisë dhe prodhimit, kushtet e pafavorshme të motit dhe vazhdimi i kërkesës së lartë globale për ushqim, përmblodhi FAO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore