Lajme

Cilat janë armët që po dërgojnë SHBA-të në Ukrainë?


Paketa e ndihmës ushtarake e vendosur nga Shtëpia e Bardhë është modeluar sipas taktikave të përdorura nga ukrainasit.

Zelensky kërkon avionë, por Pentagoni preferon të dërgojë materiale të menaxhueshme nga ana logjistike, të përshtatshme për mbrojtjen sipas asaj çka po ndodh në terren.

Një program prej 800 milionë dollarësh shtesë, përveç furnizimeve të mëparshme.

Në listën e shpërndarë nga SHBA-të janë pa dyshim antitankët: Javelins, 2 mijë copë, shumë efektivë kundër tankeve; 6 mijë AT4 dhe një mijë “modele” të tjera.

Falë përdorimit të tyre, rezistenca, e mirëtrajnuar dhe e motivuar, u shkaktoi humbje të konsiderueshme kolonave ruse.

Raketat mund të përdoren si nga njësitë konvencionale, edhe nga celulat e vogla të gueriljes. Një hibrid ky shumë i rëndësishëm për ushtrinë e Kievit.

Shtetet e Bashkuara kanë planifikuar të dërgojnë 100 Switchblades, që janë dronë-kamikaze. Futen në një çantë shpine, peshojnë tre kilogramë  dhe mjafton një ushtar për t’i nisur në ajër nëpërmjet një “tubi” të vogël.

Këto lloj dronësh janë projektuar për të eliminuar postblloqet, mjetet e lehta, grumbullime të mitralozave etj.

Komponenti i dytë është ai kundër ajrit. Do të mbërrijnë edhe 800 Stingers, raketa që lëshohen nga një njeri i vetëm. Ato do të përdoren për të sulmuar avionët luftues në lartësi të ulëta. Dhe kjo është parë se ata tashmë kanë sulmuar qendra të shumta.

Kjo armë, në versionet e saj të mëparëshme, pati ndikim në konfliktin afgan, kur helikopterët sulmues rusë u asgjësuan nga zjarri i muxhahedinëve.

Në listën e shpërndarë nga amerikanët nuk ka më shumë të dhëna për sisteme të tjera, por dihet që ato do të transferohen në Ukrainë dhe do të duhet të garantojnë një mburojë për lartësi më të mëdha në ajër.

Ekziston mundësia e dërgimit të S300 nga Sllovakia dhe sistemeve të ndryshme të lëvizshme SA8, SA10, SA14.

Dy janë nevojat për këtë. E para sepse po planifikojnë t’i bëjnë edhe më të vështira misionet e aviacionit të Putin-it, i cili pas njëzet ditësh ende nuk ka arritur të sigurojë epërsinë në qiell. Kjo u ka dhënë ukrainasve më shumë liri veprimi në terren.

E dyta sepse, nëpërmjet tyre, mbushin boshllëqet e krijuara pasi edhe ushtria mbrojtëse ukrainase ka humbur shumë mjete.

Këto sisteme do të pasohen nga pajisje më të lehta për këmbësorinë: 25 mijë helmeta, po aq jelek antiplumb, 5 mijë pushkë sulmi, 400 pushkë me pompë, të përdorura në përleshjet derë më derë, granatahedhës, 1 mijë pistoleta, 400 mitraloza, 20 milionë fishekë.

Për disa vëzhgues, Shtetet e Bashkuara mund të bënin shumë më tepër se kaq. Kjo konsiderohet si një pikë ujë në mes të oqeanit.

Ndoshta do të duheshin më shumë radarë për të zbuluar artilerinë dhe më shumë pajisje të mbrojtura të komunikimit.

Është e mundur që paralelisht me listën publike të ketë edhe një tjetër, të mbuluar nga konfidencialiteti.

Së fundi, nuk duhet nënvlerësuar as mbështetja e inteligjencës, e cila përmes satelitëve zbulues, përgjues dhe spiun, informon me saktësi aleatin ukrainas për lëvizjet e ushtrisë ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore