Shqipëria

Last Dance për Trashëgimi


Kjo është pjesa e tretë e një cikli prej katër analizash.

Sfida dhe Trashëgimia e Mandatit të Katërt të Edi Ramës në krye të PS ishte analiza e parë e publikuar në Albanian Post.

Drejtësia dhe korrupsioni në Shqipëri: Dështimet e investimeve në kapitalin njerëzor dhe gjinor ishte analiza e dytë e publikuar në Albanian Post.

 

Në një vend të vogël ballkanik, ku ndryshimi politik ka qenë i ngadaltë dhe i paqëndrueshëm, Shqipëria ka ndërtuar një eksperiencë unike me mandatin e saj të tretë qeveritar nën udhëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Nëse përbashkimi i Gjermanisë lidhet me emrin e Helmut Kohl dhe epoka e reformave të mëdha ekonomike në Britani mban gjurmët e Margaret Thatcher, atëherë historia e re e Shqipërisë lidhet pashmangshëm me Edi Ramën.

Ky mandat që do të vijë nuk është thjesht një zgjatim i suksesit të tij politik. Por do të jetë testi i madh për ta çuar Shqipërinë drejt stabilitetit të qëndrueshëm dhe integrimit të plotë evropian.

Në mandatin e katërt, Rama duhet të përqendrohet në përmbushjen e reformave të mëdha, veçanërisht në fushat kyçe të shtetit të së drejtës dhe mirëqenies sociale. Sfida kryesore mbetet përmirësimi i shtetit të ligjit dhe shkëputja përfundimtare nga krimi i organizuar dhe kleptokracia.

Korrupsioni nuk luftohet vetëm në derën e SPAK-ut, po mbi te gjitha duke ngushtuar hapësirat ligjore, administrative dhe institucionale për abuzime individuale.

Ne nenin 1 të Kushtetutës sanksionohet se Shqipëria është Republikë parlamentare. Në nenin 2 thuhet se sovraniteti në RSH i përket popullit dhe ushtrohet përmes përfaqësuesve të tij në Kuvend.

Kuvendi duhet patjetër të ngrihet në lartësinë e rolit të tij kushtetues dhe të marrë përgjegjësi në raport me ligjbërjen, monitorimin dhe mbikëqyrjen e qeverisjes dhe institucioneve të pavarura për të garantuar forcimin, reformimin dhe demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve, çka janë garanci për qeverisjen e mirë.

Më parë, aleatët ndërkombëtarë kanë shfaqur shqetësime për ndikimin e krimit të organizuar brenda sistemit politik të Shqipërisë, por gjithashtu kanë njohur përpjekjet e sinqerta të Ramës, sidomos me përkrahjen që i ka dhënë reformave ne sistemin e drejtësisë për ta luftuar këtë fenomen.

Një tjetër sfidë madhore që duhet të trajtojë është ulja e varfërisë dhe rikthimi i besimit të popullit shqiptar te shteti. Deri më tani, shumë qytetarë shqiptarë kanë përjetuar mungesë besimi në institucione, duke parë shtetin si një strukturë të zhytur në korrupsion dhe të paaftë për t’u ofruar mbrojtje dhe shërbime themelore, duke përfshirë këtu atë të shëndetësisë, si një nga nevojat më bazike të jetesës.

Mandati i katërt duhet të përqendrohet në ndërtimin e një “qeverisje të prekshme,” siç kërkojnë aleatët e Shqipërisë, përmes reformave konkrete që përfshijnë rikthimin e mirëqenies sociale dhe përmirësimin e jetesës së përditshme të shqiptarëve.

Në analogji me vendet e zhvilluara, liderët që kanë pasur mandate të gjata në pushtet kanë treguar se qëndrueshmëria është kyç për suksesin e reformave. Siç ndodhi me Angela Merkel në Gjermani, e cila përdori katër mandatet e saj për të konsoliduar pozicionin e vendit të saj si lider ekonomik dhe politik i Evropës, Rama ka mundësinë të përdorë këtë mandat për të përforcuar trashëgiminë e tij si arkitekt i Shqipërisë moderne.

Ky mandat do të shihet si momenti kur Rama duhet të realizojë premtimet e dhëna që në vitin 2013. Shqiptarët kanë treguar besim të vazhdueshëm përmes votës së tyre, duke përmbysur mitin e rotacionit politik çdo tetë vjet. Kryeministri, megjithatë, duhet të demonstrojë se mandati i katërt nuk është vetëm një përsëritje e fitores së tij të mëparshme, por një përpjekje për ta çuar vendin në një nivel të ri.

Një analogji mund të bëhet me ndërtimin e një shtëpie, ku dy mandatet e para kanë qenë të përqendruara në ndërtimin e themelit, ndërsa tani është koha për ta përfunduar këtë ndërtim me përkujdesje, dedikim dhe profesionalizëm.

Opozita ndërkohë në vitin 2019 ka bojkotuar zgjedhjet lokale dhe ka djegur mandatet e veta në parlament duke i lënë hapësirë te pafundme mazhorancës të qeverisë pa mbikëqyrje. Ky fenomen ka krijuar mospërfillje në procedurë dhe aftësi ta pakufishme për të ndërtuar rruge korruptive.

Ky fenomen jo politik krijoi “krizë institucionale” ose “bojkot parlamentar,” ku një pjesë e opozitës politike vendos të largohet nga institucionet demokratike si mënyrë proteste ndaj qeverisë. Në këtë rast, kur opozita bojkoton zgjedhjet dhe djeg mandatet, ajo krijon një boshllëk të rrezikshëm në funksionimin e institucioneve demokratike. Pasojat për sistemin janë serioze dhe përfshijnë:

E para: Shkatërrimi i balancës së pushteteve

Kur nuk ka opozitë funksionale, qeveria mbetet pa kontroll institucional, duke u bërë më e fuqishme dhe më pak e përgjegjshme për vendimet që merr.

E dyta: Rritja e korrupsionit

Mosmbikëqyrja e qeverisë krijoi terren të favorshëm për abuzime me pushtetin dhe për korrupsion në vendimmarrje dhe shpenzime publike, pasi nuk ka kush e sfidon autoritetin e saj.

E treta: Dobësimi i demokracisë

Institucionet demokratike humben legjitimitetin e tyre kur opozita nuk morri pjesë, duke çuar në perceptimin e një regjimi të autoritarizuar.

E katërta: Do duhej të ndodhte humbje e besimit qytetar në institucione

Nuk ndodhi kjo. Qytetarët do te duhej të humbnin besimin te sistemi politik dhe te zgjedhjet si mekanizma për ndryshim demokratik, duke krijuar një klimë të pasigurt dhe të tensionuar sociale. As kjo nuk ndodhi!

Fenomeni që ndodh në Shqipëri reflekton dështimin e funksionimit të demokracisë përmes pjesëmarrjes dhe debatit të hapur, dhe krijon mundësi për qeverisje autokratike dhe të paqëndrueshme, sepse nuk pati riciklim të elitës politike që ishte me peshën e korrupsionit. Mandati i katërt në një përqindje të madhe do të vij edhe për këtë arsye.

Dhe kjo ishte një strategji perfekte e Ramës.

Bashkë me këto pasoja për demokracinë Rama krijoi modelin e qytetit te ri.

Nuk mund të mohohet vizioni i tij në dy drejtime: ajo e krijimit të një modeli të qytetit të rinovuar me rilindjen urbane, ku qartësisht qytetet e ndryshme nga veriu në jug të Shqipërisë marrin jetë, vitalizohen dhe kthehen në pole tërheqëse për banorët vendas dhe për ata të huaj; dhe ajo e zhvillimit të turizmit si askush, asnjëherë nuk e kishte menduar për Shqipërinë.

Në këto dy vite, për herë të parë gazeta e revista në mbarë botën shkruajnë për Shqipërinë si destinacion turistik të mrekullueshëm, duke lënë në harresë kronikat e zeza dhe zymtësinë e dekadave më parë. Si rrallëherë shumë nga ne përgjatë udhëtimeve, apo ata që jetojnë jashtë vendit, takojnë njerëz që ose e kanë vizituar, ose do të shkojnë, ose kanë të afërm që kanë prekur tokën shqiptare.

Thënë kjo mandati i katërt duhet të mos i lerë gjysmake hapat e nisur. Ndërsa janë rilindur bërthamat në qendër të shumë qyteteve, zhvillimi duhet të shtrihet më tutje në infrastrukturë cilësore (rrugë, kanalizime të ujërave të ndryshëm, respektimi i kritereve në urbanistikë), në reforma të mëtejshme në ndihmë të bujqësisë (mbetet zëri i parë i PBB-së) dhe fshatit, rritjen e cilësisë në arsim e kulturë, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e memories për të kaluarën.

Do të ishte e pamendueshme që një ‘boom’ turistik i këtij niveli (në rritje aktualisht) do të mbetet i qëndrueshëm vetëm në sajë të zhvillimit të aeroporteve, apo hotelerisë. Do të duhet një punë e madhe në zhvillimin e infrastrukturës që e rrethon turizmin, në zbatimin e ligjeve në lidhje me funksionimin e duhur të tij, në formimin e operatorëve turistikë të të gjitha niveleve.

Asnjë sukses i ri nuk mund të jetë i qëndrueshëm, nëse objektivi nuk është zhvillimi. Përndryshe ‘boom-i’ kthehet në boomerang.

Ndërsa shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë ndryshim të prekshëm dhe të qëndrueshëm, mandati i katërt i Kryeministrit Rama duhet të jetë epoka ku premtimet kthehen në realitet.

Për Ramën, është ky mandati që mund ta shndërrojë atë në një figurë të madhe politike të ngjashme me Helmut Kohl, duke e çuar Shqipërinë drejt stabilitetit dhe përparimit të përhershëm dhe fundit të tranzicionit në forcim të tre shtyllave kryesore: shtetin e të drejtës, arsimin (deri tani reformat arsimore kanë qenë të pasuksesshme, pasi qeveria ka zbatuar modele të huaja, të gatshme – kryesisht anglosaksone – që nuk lidhen me një format nxënësish shqiptarë dhe kanë nuk kanë përfshirë kontekstin shoqëror në mes) dhe shëndetësinë. Me një fjalë ato elementë që përcaktojnë mirëqenien sociale dhe do të bëjnë të mundur inversionin e ikjes së të rinjve drejt vendeve të tjera në Perëndim.

Jo pak rëndësi ka situata e media-s dhe kontrolli ndaj tyre. Kur media ka një lidhje me pushtetin – pa filtër dhe pa distancën e duhur, kur mediat janë afër me qeverinë dhe kontrollohen prej saj, ato shndërrohen në mjete propagandistike që lavdërojnë pushtetin dhe heshtin për gabimet e tij.

Kjo ndodh shpesh në vende me tendenca autokratike si Turqia, ku qeveria ka përdorur media të kontrolluara për të manipuluar opinionin publik dhe për të shtypur zërat kundërshtarë. Në këto raste, shoqëria humb qasjen në informacione të paanshme, duke krijuar një mjedis ku qytetarët janë të keqinformuar dhe demokracia e brendshme gjendet në rrezik serioz. Kontrolli i mediave çon në erozionin e lirisë së fjalës dhe rritjen e cinizmit dhe mosbesimit ndaj institucioneve.

Mandati i katërt për Edi Ramën, megjithatë, ka ngritur një pyetje të madhe brenda qarqeve politike në Shqipëri: A është ky fundi i rrugëtimit të tij politik apo vazhdimi i dhunshëm dhe i domosdoshëm i një kapitulli të ri?

Për një kryeministër që ka shërbyer më shumë se një dekadë dhe ka ndikuar thellësisht në transformimin e vendit, dilema nuk është më thjesht politike – është një dilemë për trashëgiminë e tij.

Brenda Partisë Socialiste, ka dy mendime kryesore për të ardhmen e Ramës.

Një grup mendon se ai duhet të tërhiqet, duke lënë hapësirë për një lider të ri të PS-së, që mund të çojë përpara vizionin e reformave. Ky grup, megjithatë, përfshin individë që kanë ambicie për të marrë udhëheqjen e partisë dhe pushtetin politik, por pa ofruar ndonjë vizion të qartë për Shqipërinë post-Rama. Plus që pjesë e këtij grupi mbart barrën e korrupsionit të cilin e kanë vendosur gjatë kohës politike së tyre ndër vite.

Grupi tjetër, që mbështet qëndrimin e Ramës, vlerëson se nuk ka asnjë figurë tjetër brenda PS-së që të ketë aftësitë politike, estetike dhe intelektuale për ta zëvendësuar atë. Ky grup gjithashtu beson se Rama duhet të përmbushë premtimin e tij për një Shqipëri të transformuar, pasi Shqipëria është ende larg përfundimit të tranzicionit të saj demokratik dhe institucional. Tërheqja e Ramës në këtë moment, sipas tyre, mund të shihet si një dezertim nga projekti i transformimit të vendit.

Nga njëra anë, Rama mund të marrë shembull nga Helmut Kohl, i cili e drejtoi Gjermaninë drejt një bashkimi historik dhe u tërhoq kur e pa të nevojshme. Nga ana tjetër, ai mund të ndjekë rrugën e Tony Blair, i cili zgjodhi të largohej nga politika përpara se të konsumonte plotësisht kredibilitetin e tij.

Tërheqja nga politika në kulmin e suksesit politik ka qenë shpesh e suksesshme për ruajtjen e trashëgimisë, por për Ramën, largimi para përfundimit të projektit të tij për Shqipërinë do të dukej si një braktisje nga një projekt i papërfunduar.

Tërheqja nga jeta politike mund të interpretohet nga aleatët ndërkombëtarë dhe opozita si pamundësi për të përfunduar reformat e domosdoshme për Shqipërinë.

Nga një pikëpamje ndërkombëtare, tërheqja e tij mund të shihet si një braktisje e procesit të transformimit të nisur më 2013. Kjo mund të minojë besimin ndërkombëtar në aftësinë e Shqipërisë për të dalë plotësisht nga tranzicioni dhe për t’u bërë një anëtare e plotë e familjes evropiane.

Një gjë është e sigurt, se çdo vendim i Ramës do të ndikojë thellësisht jo vetëm mbi të ardhmen e Partisë Socialiste, por edhe mbi rrjedhën e tranzicionit të gjatë të Shqipërisë.

Nëse mandati i katërt është i fundit për të, atëherë ai duhet të përfundojë si një akt i përkushtimit për të konsoliduar arritjet e reformave. Por, nëse zgjedh të qëndrojë, do të duhet të demonstrojë se ende ka çfarë të ofrojë për një Shqipëri të modernizuar dhe të integruar në Evropë.

 

Nesër, në Albanian Post do të publikohet artikulli: Aty ku më së paku është pritur -Suksesi i Politikës së Jashtme në Mandatet e Ramës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore