Kosova

Caktohet lokacioni për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut


Ilustrim

Nexhat Uglanin, kryetar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, pa dhënë detaje shtesë, konfirmoi të hënën se salla e sportit është caktuar si lokacion për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të komunës. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut miratoi shfrytëzimin e kësaj hapësire publike për mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin.

Një burim deklaroi për “Radio Evropa e Lirë” se shkolla fillore “Vuk Karaxhiq” në Komunën e Zveçanit është caktuar si vendi për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit shqiptar të komunës, ndërsa në ditët në vijim, pritet që të caktohet lokacioni për mbledhjen e nënshkrimeve për zëvendësimin e shefit të policisë në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok.

Qytetarët në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë edhe 7 ditë kohë për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave përkatëse. Ata kanë afat deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e 20 për qind të trupit elektoral në komunat respektive.

Në bazë të përllogaritjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Mitrovicës së Veriut është 18 mijë e 199. Nga ky numër, rreth 3 mijë e 640 votues përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral, kurse në komunën e Leposaviqit, numri i votuesve është 13 mijë e 441. Rreth 2 mijë e 689 përbëjnë 20 për qind.

Kjo masë vlen njëjtë edhe për komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut. Në komunën e Zveçanit janë të regjistruar 9 mijë e 229 votues, ndërsa rreth 1 mijë e 846 qytetarë përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 6 mijë e 732. Rreth 1 mijë e 347 përmbushin kriterin prej 20 për qind të elektoratit.

Pas pranimit të nënshkrimeve, kryesuesit e kuvendeve komunale në veri duhet që brenda tri ditëve t’i dërgojnë në KQZ për verifikim. Nga konstatimi që është përmbushur kriteri i nevojshëm prej 20 për qind, brenda 45 ditëve duhet të organizohet procesi zgjedhor ku qytetarët mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës përkatëse apo jo.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore