Financa

Brukseli përgatitet të forcojë regjimin për bankat në vështirësi


Brukseli është vendosur të zbulojë planet për të mbrojtur më mirë taksapaguesit nga dështimi i bankave duke forcuar rregullat e tij për huadhënësit në vështirësi.

Komisioni Evropian është në procesin e finalizimit të projektligjeve që e bën më të lehtë transferimin e parave të depozituesve tek institucionet e shëndetshme nga huadhënësit me probleme, ose mbylljen e një banke problematike pa tërhequr paratë e taksapaguesve.

Po ashtu drafti do ta bënte më të vështirë për qeveritë dorëzimin e parave “paraprake” te huadhënësit në vështirësi.

Detajet, të cilat janë ende duke u finalizuar nga komisioni dhe mund të ndryshojnë, përfaqësojnë një përpjekje për të hequr kompetencat nga vendet anëtare, të cilat kanë zgjidhur vështirësitë në huadhënësit më të vegjël nën regjimet kombëtare, pavarësisht ekzistencës së një kuadri të përbashkët të BE-së.

Gjithashtu do të kërkonte që Banka Qendrore Evropiane, e cila mbikëqyr huadhënësit më të mëdhenj të eurozonës, ose rregullatorët financiarë kombëtarë, të cilët mbikëqyrin bankat më të vogla, të japin një paralajmërim të hershëm kur një huadhënës është në rrezik të “dështimit ose ka gjasa të dështojë”.

Referuar draftit, ndryshimet do të siguronin “një zbatim koherent të rregullave në të gjithë shtetet anëtare, duke ofruar një fushë më të mirë loje, duke mbrojtur stabilitetin financiar dhe depozituesit, duke parandaluar përhapjen dhe reduktimin e përdorimit të parave të taksapaguesve”.

Po ashtu drafti thotë se në vend të përdorimit të kornizës së zgjidhjes së BE-së, shumë huadhënës të dështuar “janë trajtuar nën regjimet kombëtare që shpesh përfshijnë përdorimin e parave të taksapaguesve”.

Dhe se “korniza e zgjidhjes nuk ka arritur plotësisht në lidhje me objektivat kryesore të përgjithshme”.

Ndërkaq, përmirësimet do të lehtësonin zgjidhjen e huadhënësve më të vegjël, ndërsa do të përmirësonin besimin e depozituesve në sigurinë e parave të tyre.

Reformat do të përforconin gjithashtu fondet e disponueshme për të mundësuar zgjidhje, duke përfshirë përdorimin e skemave kombëtare të garancisë së depozitave.

Rregullat do të duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian dhe mund të përballen me një udhëtim të vështirë midis vendeve anëtare. Drafti pritet të finalizohet dhe të nisë në fund të këtij muaji.

Sakaq, ai është një aspekt i përpjekjes më të gjerë të BE-së për të kompletuar Unionin Bankar, i cili ngeci vitin e kaluar në Eurogrup pasi ministrat u përplasën për agjendën e gjerë.

Propozimet kanë qenë në punë brenda Komisionit Evropian që shumë përpara trazirave në SHBA dhe Zvicër, por zyrtarë të lartë kanë përmendur dështimet e fundit bankare si arsye të mëtejshme për një tronditje të regjimit të BE-së.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore