Kosova

Borrell zbulohet nga media evropiane: Perveç pagës së lartë, përfiton edhe nga fondi i taksapagusve


Josep Borrell

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, aktualisht përfiton pension nga fondi i Parlamentit Evropian, i cili ka një borxh prej 400 milionë euro dhe mund të kërkohet një ndihmë financiare në një kohë kur inflacioni dhe kostot e larta të energjisë janë duke i goditur evropianët, shkruan “EU Observer”, gazeta me seli në Bruksel.

Borrell, 75 vjeçar, ka të drejtën e pagesave pensionale, të cilat vijnë bashkë me pagën e tij mujore prej mbi 20 mijë euro, pa përfshirë përfitimet e tjera.

“Po, HRVP [titulli i tij zyrtar, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë] po merr një pension nga fondi pensional”, konfirmoi zëdhënësi i Borrell.

Por skema, e njohur gjithashtu si fondi i pensioneve vullnetare të Parlamentit Evropian, është cilësuar si i diskutueshëm duke pasur parasysh se ka një deficit të lartë që vetëm po vazhdon të rritet.

Diferenca ndërmjet detyrimeve dhe vlerës neto të aseteve (deficitit aktual) të fondit pensional më 31 dhjetor 2018 ishte 2 milionë e 86 mijë euro, ndërsa më 31 dhjetor 2021, kjo vlerë u rrit në 379 milionë euro.

Fondi pritet të dështojë ndërmjet vitit 2024 – viti i zgjedhjeve evropiane – dhe 2026, kohë kjo në të cilën taksapaguesit do të detyrohen të shpëtojnë një skemë që është dëshmuar si “kokëçarje” për udhëheqjen e Parlamentit Evropian.

Parlamenti nuk ka qenë në gjendje të gjejë një zgjidhje, duke shtruar pyetje të ndërlikuara nga eurodeputetët që mbikëqyrin buxhetet.

Midis tyre janë Monika Hohlmeier, një eurodeputete gjermane dhe Johan van Overtveldt, një ish-ministër belg i financave.

Në një letër të përbashkët drejtuar presidentes së Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola në fillim të këtij viti, ata theksuan se fondi paraqet “rreziqe të mundshme, shkatërruese të reputacionit për Parlamentin Evropian”.

Kujtojmë se diplomati spanjoll është i angazhuar edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të raporteve mes tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore