Bota

Borrell vizitë zyrtare në Moskë


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Rusi nga 4 deri në 6 shkurt.

Vizita ka në fokus bisedimet me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov dhe delegatë të tjerë rus, para mbledhjes së Këshillit Evropian (KE) mbi marrëdhëniet BE-Rusi, të planifikuar për në mars.

Borrell do të trajtojë veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe në shtetet fqinjë, rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit, përgjigjen globale ndaj pandemisë së coronavirus-it dhe ndryshimin e klimës.

Helmimi, ndalimi dhe arrestimi i kohëve të fundit, i politikanit të opozitës, Alexei Navalny, si dhe shqetësimet mbi liritë themelore dhe të drejtat e njeriut në Rusi, do të jenë gjithashtu në agjendën e tij.

Gjatë vizitës, Borrell, do të ketë takime me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile ruse dhe anëtarë të komunitetit akademik në Moskë.

“Marrëdhënia me Rusinë është një nga më të ndërlikuara të BE-së. Përtej çështjeve të diskutimit ka edhe fusha në të cilat BE dhe Rusia kërkojnë vëmendjen tonë urgjente”, është shprehur ai.

Pas takimit të tyre, Borrell dhe Lavrov do të mbajnë të premten një konferencë shtypi të përbashkët.

Kjo do të jetë vizita e parë në Rusi, nga një Përfaqësues i Lartë ose Zëvendëspresident i BE-së që nga viti 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore