Kosova

Borrell pritet të flas para mediave ne orën 15:00, Kurti pas tij


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Në ora 15:00, pritet që Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të dalë para mediave për të treguar se çfarë është biseduar në takimin në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Pas Borrell-it, pritet që të deklarohet edhe kryeministri Kurti.

Deri më tani për këtë takim ka folur vetëm presidenti serb Vuçiç.

Nga takimi trelateral Kurti – Vuçiç – BE

Ai ka deklaruar se bisedimet e raundit të nëntë kanë përfunduar pa sukses në drejtim të gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Serbia e pranoi propozimin për kompromis të BE-së, por Kurti nuk deshi ta pranonte dhe takimi përfundoi”, pretendoi Vuçiç.

Kompromisi në këtë rast, sipas tij, nënkuptonte se fillimisht duhet të diskutohet për procesin rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pra nëse ka një proces të besueshëm ose jo dhe “pastaj do të shohim se cilat janë obligimet tona”.

“Pala tjetër nuk e ka pranuar këtë”, tha Vuçiç.

Sipas tij gjithë në këtë mes është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacion, ndërsa “Serbia u përpoq shumë dhe ishte shumë konstruktive”.

“Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti kur pyetet për Asociacionin thotë se “do ta bëjë nëse nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.

“Ose nëse është në përputhje me tekstin e shkruar nga (Olaf) Scholz dhe (Gabriel) Escobar në disa gazeta”.

Takimi i Kurtit me Vuçiç-in, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, ka zgjatur gati dy orë.

Takimet në Bruksel këtë të enjte kanë filluar nga që nga ora 9:00.

Fillimisht liderët e dy shteteve respektive kanë pasur takime të ndara me ndërmjetësit evropianë.

Pasi i përfundoi takimet ndaras, dhe në prag të takimit trepalësh, pati një reagim nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Borrell tha “është koha për të filluar zbatimin seriozisht të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit”.

“Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi.

Kosova dhe Serbia ishin dakorduar për Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe e përforcuar me planin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Mirëpo, tensionet e krijuara në Veriun e Kosovës që nga 26 maji e kishin lënë në hije zbatimin e saj.

Prandaj, edhe ky takim është në këtë kontekst; që palët të zbatojnë atë që e kanë pranuar.

Marrëveshja e pranuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmbante 11 nene.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Ky takim në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it është i pari pas më shumë se katër muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore