Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pasi bisedës që ka zhvilluar me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar nga Prishtina të mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm.
“Fola me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg për situatën në veri të Kosovës. Ne pajtohemi që Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues”, shkroi diplomati spanjoll në Twitter.
Spoke to @NATO SG @jensstoltenberg about the situation in north of Kosovo. We agree that Pristina must de-escalate and not take unilateral, destabilising steps. Appreciate the continuous good coordination between @EULEXKosovo and @NATO_KFOR in ensuring a safe & secure environment
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) May 28, 2023
Paraprakisht, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell për situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës.
“Fola me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell, në lidhje me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja tani, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”, shkroi ai.
Ndryshe, Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.
Çka ndodhi?
Në mesditën e së premtes të 27 majit në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokalë të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.
Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.
Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.
Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.
Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.
Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.
Teksa pesë policë kishin mbetur të lënduar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com