Kosova

Borrell pas takimit me Kurtin: Situata është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se situata në Veriun e Kosovës është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.

“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë (Sllovaki) për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ai theksoi se “ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent”, dhe se një zgjidhje duhet të gjendet “përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur” në Bruksel\Ohër.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Bratislavë të Sllovakisë.

“Ritheksova se sulmet e milicisë serbe ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve janë të papranueshme. Rruga përpara është e rrënjosur në demokraci, sundim të ligjit dhe zbatim të plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Bazë”, shkroi Kurti në Twitter.

Ndyshe, që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit.

Ndërsa më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, u shpreh fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i – forcat e NATO-s – do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e OKB-së.

Kurti pas takimit me Borrell-in e Lajçak-un: Ritheksova se sulmet e milicisë serbe janë të papranueshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore