Kosova

Borrell pas takimit me Kurtin e Vuçiç-in: U bë hapi i parë, simbolik, drejt zbatimit të Asociacionit


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se Draft-Statuti i prezantuar këtë të martë në Bruksel, nga Ekipi Menaxhues i përberë nga serbët e Kosovës, do të jetë pika startuese për zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë.

“Palët bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të pajtuar 10 vjet më parë. Sot Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës prezantoi draftin e parë. Nuk është drafti final, është pikë fillestare, është drafti i parë i statutit të Asociacionit”.

Borrell deklaroi se çfarë ndodhi këtë të martë në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është “në linjë me Nenin 7 të marrëveshjes së re”.

“Ky draft është vënë në tavolinë dhe ishte e rëndësishme”, deklaroi ai, duke pranuar se të dyja palët kanë mendime shumë të ndara për atë se cfarë duhet të jetë ky mekanizëm për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

“Kurti dha pikëpamjet e tij për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe siç pritej, pikëpamjet e palëve janë shumë larg njëra tjetrës. Nuk pritja gjë tjetër, isha i sigurt se palët do t’i kenë pikëpamjet e ndryshme. Por, përkundër mospajtimeve, ata u pajtuan të fillojnë negociatat”, pohoi Borrell.

“Këtë draft e morën si pikë fillestare dhe dua t’i lus dy palët të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim. Por, kemi diskutuar se si të implementojmë atë që është pajtuar në Bruksel dhe në Ohër”, vazhdoi ai.

Borrell ka folur edhe për miratimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur. Tha se është një hap i rëndësishëm dhe nuk do të ishte mirë të politizohet çështja, meqë ka të bëjë me një aspekt të ndjeshëm dhe humanitar.

“Fillimisht, dhe besoj keni qenë të vëmendshëm, palët më në fund arritën një pikë të rëndësishme – Deklaratën për Personat e Pagjetur. Nuk ishte e lehtë të arrihet marrëveshja, më në fund ne e bëmë, ata e bënë”.

“Kjo çështje është çështje humanitare dhe nuk duhet të politizohet. Është koha të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm”, deklaroi Borrell në një konferencë për media, teksa krejt në fund, shefi i diplomacisë evropiane shprehu brengën se tensionet në veri të Kosovës mund të rikthehen sërish.

“Në fund, një pikë e fundit, më pak pozitive, diskutuam për gjendjen aktuale në terren. Shpreha edhe njëherë brengën për gjendjen në veri të Kosovës pas zgjedhjeve në veri. Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë”, sqaroi ai.

“Kam inkurajuar të dyja palët që të gjejnë një zgjidhje, që serbët të kthehen në institucione, po ashtu, dy liderët pranuan peshën e veprimeve në terren. Fatkeqësisht, nuk arritën pajtim sot. Kam frikë se do të ballafaqohemi me ndonjë situatë kritike. Bisedimet duhet të vazhdojnë shpejt”, përfundoi Borrell.

Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore