Kosova

Borrell: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhej bërë moti


Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështjes të Sigurisë, Jozef Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështjes të Sigurisë, Jozef Borrell, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, ka thënë se “ne duhet të kishim një marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme midis Serbisë dhe Kosovës shumë kohë më parë”.

Borrell tha se pret që gjatë muajit qershor të vazhdojë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ai i foli edhe “non-paper”-it e publikuar muajin e kaluar, për ndryshimin e kufjeve në Ballkan, duke i cilësuar si “ide të rrezikshme”.

“Idetë e rrezikshme për riformimin e kufijve përgjatë vijave etnike janë të dukshme, narrativa të tilla janë plotësisht në kundërshtim me ato që mbron integrimi evropian”, tha Borell.

Borrell shtoi se “rajoni mbetet i brishtë dhe procesi i tij i integrimit në BE është kompleks”.

“Këto luftëra kanë lënë plagë të thella që nuk janë shëruar ende, përkundër kohës që ka kaluar që nga marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe luftës së fundit në Kosovë.

“Përveç kësaj historie të vështirë vijnë në lojë edhe ”perandoritë e reja” ‘ambicioze, Rusia dhe Kina të cilat po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre dhe të dobësojnë BE-në. Përkundër mjedisit tani më të sigurt dhe më të qëndrueshëm, rajoni është ende larg integrimit.

Diplomati spanjoll foli edhe për darkën e punës që ai organizoi ditë më parë në Bruksel, për gjashtë udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor, duke shtuar se rëndësia e një takimi të tillë joformal ishte “aq e madhe sepse rajoni është përsëri në një udhëkryq kur bëhet fjalë për integrime evropian”.

“Doja të bisedoja hapur me udhëheqës nga Ballkani Perëndimor, edhe jozyrtarisht, në lidhje me shqetësimet dhe propozimet e tyre, kur bëhet fjalë për rajonin dhe të ardhmen e tij evropiane, por gjithashtu edhe kur bëhet fjalë për një qasje më strategjike të politikës së jashtme evropiane”, potencoi ai.

Kreu i diplomacisë së BE-së theksoi se “dëshira e tij është që të ndërtojë një marrëdhënie personale me ata udhëheqës që kanë nevojë për hapësirë ​​për të punuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.

“Të gjithë udhëheqësit kanë deklaruar se ata kanë zgjedhur të vendosin integrimin në BE në krye të axhendave të tyre, dhe të investojnë kapital maksimal politik për t’i sjellë njerëzit në rajon më pranë Bashkimit Evropian”, përfundoi Borell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore