Kosova

Borrell: Kosova e Serbia të kthehen në dialog – rruga e vetme për stabilizim


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, teksa ka diskutuar në pjesën speciale të takimit që i kushtohet Ballkanit Perëndimor, ka thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë sa më shpejt në nivel të lartë.

Kështu është shprehur Borrell para mediave, në ditën e dytë të Samitit të NATO-s në Riga të Latvisë.

“Në Kosovë dhe Serbi kemi pasur shumë tensione në muajt e fundit, gjatë verës. Situata është bërë më e qetë kohët e fundit, por gjithsesi duhet t’i kthehemi dialogut, të rifillojmë dialogun. Nuk ka rrugë tjetër për të stabilizuar situatën”, është shprehur Borrell.

Megjithatë, sipas tij, shqetësimi më i madh për Aleancën Veri-Atlantike dhe Unionin Evropian është situata në Bosnje e Hercegovinë.

“Ballkani Perëndimor mbetet një rajon strategjik për BE-në. Tre nga vendet e këtij rajoni janë anëtare të NATO-s dhe ne kemi lidhje të fortë me ta në perspektivën e zgjerimit të BE-së dhe për arsye të sigurisë. Stabiliteti i këtij rajoni është i rëndësisë së madhe për ne”.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj unitetit të Bosnjë-Hercegovinës si një vend i vetëm dhe u bëjmë thirrje të gjithëve që të bëjnë reformat e nevojshme për të ruajtur këtë unitet dhe reformimin e ligjit zgjedhor”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore