Kosova

Borrell kërkon nga Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet


Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë më shumë drejt një marrëveshje përfundimtare midis dy palëve.

Këtë thirrje Borrell e ka bërë përmes një shkrimi të shkurtër në llogarinë e tij në Twitter, pas takimit të tij me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Diskutuam marrëveshjen e javës së kaluar në mes të Beogradit dhe Prishtinës me Albin Kurtin – si hap i rëndësishëm që duhet implementuar. Thërras të dyja palët që ta intensifikojnë punën për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizim të marrëdhënieve me ndërmjetësimin e dialogut nga BE”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, gjatë të mërkurës së gjashtë tetorit, Borrell ka thënë se “Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor”.

Shkrim ky po ashtu në Twitter i bërë pas takimit të krerëve të parë të shteteve ballkanike në samitin midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Brdo të Sllovenisë.

Sipas tij, është koha për bashkim, në mënyrë që të ndërtohet një Evropë më e fortë.

Borrell ka theksuar se, samiti i cili po zhvillohet sot më 6 tetor, ka si synim dhënien e kësaj perspektive

“Ne duhet të mbajmë një proces të besueshëm zgjerimi”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore