Kosova

Borrell flet për Hashim Thaçin në Forumin për të Drejtat e Njeriut: Ne e arrestuam, sa ishte akoma president


Josep Borrell gjate fjalimit ne forum

Përfaqësuesi i Lartë për Politika të Jashtme dhe te Sigurisë, Josep Borrell, ka folur për arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga policia e EULEX-it, derisa po mbante një fjalim në Forumin për të Drejtat e Njeriut me temën “Ndaloni mosndëshkimin – Rruga drejt llogaridhënies dhe drejtësisë”, ku po bashkëbisedohej me pjesëtarë të shoqërisë civile për Drejtësinë Transicionale.

Në pjesën kur Borrell foli për angazhimin e Bashkimit Evropian në vende të ndryshme ai përmendi se Bashkimi Evropian “po financon mekanizma për siç i quajmë zgjidhje post-konflikt” dhe këtu “do ta përmend Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

“Siç e dini ish-presidenti i Kosovës është tani është atje duke pritur të gjykohet dhe policia jonë me mision në Kosovë EULEX-i ishte në krye për arrestimin e tij. E kemi arrestuar kur ishte president në zyrë. Dhe e kanë dërguar t’u përgjigjet akuzave, të ballafaqohet me drejtësinë”, tha Borrell.

Forumi ka filluar këtë të martë dhe do të vazhdojë deri nesër, ku përfaqësues të shoqërisë civile dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut nga zonat e konfliktit dhe krizave në mbarë botën u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballen.

Bashkimi Evropian është financues i Gjykatës Speciale, e cila formalisht është gjykatë e Kosovës, por BE ka refuzuar të flas për Specialen, sa herë që ka pasur probleme të natyrave të ndryshme nga kjo strukturë.

BE nuk ka folur as për mos-respektimin e afateve nga Prokuroria e Specializuara, bashkëpunimet e njëanshme të prokurorisë me shtetin e Serbisë, skandalin e rrjedhjes së dokumenteve, fshehjen e provave shfajësuese nga prokuroria e specializuar e shumë probleme të tjera që e kanë përcjellur gjykatën.

BE gjithashtu asnjëherë nuk ka komentuar faktin se në aktakuzën për Hashim Thaçin dhe të tjerët nuk është përfshirë fare akuza fillestare që ishte për trafikimin e organeve të njerëzve, për çka edhe nisi rrugëtimi që përfundoi me Specialen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore