Lajme

Borë në prill, Policia bën apel për kujdes në trafik


Mëngjesi i kësaj të marte të katër prillit i ka gjetur rrugët e Kosovës të mbuluara me borë.

Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me ngrica.

“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotëroj mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave), kërkohet nga shoferët që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës bazuar në kushtet meteorologjike apelon për kujdes dhe këshillon që shoferët të përqendrohen maksimalisht gjatë drejtimit të mjetit.

“Mbani distancën e sigurt në mes mjeteve! Përdorni rripin e sigurisë! Respektoni kufizimet e shpejtësisë komfor kushteve atmosferike të krijuara! Mos përdorni telefoni mobil gjatë ngasjes! Mos kryeni parakalime të ndaluara apo mos bëni manovra me mjet në rrugë!”.

Ekipet e pastrimit të rrugëve në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ekipet për pastrimin e rrugëve të kryeqytetit janë aktivizuar që herët në mëngjes dhe kanë bërë e po vazhdojnë të bëjnë pastrimin e rrugëve.

“Ekipet fantastike të #kryeqytetit janë mobilizuar për t’u siguruar që rrugët të jenë të sigurta për qarkullim”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook, ku ka bashkëngjitur disa fotografi nga vende të ndryshme ku ekipet e pastrimit po largonin borën nga rrugët e trotuaret.

“Ju bëjë thirrje qytetarëve tanë të shtojnë kujdesin në komunikacion”, ka shkruar Rama duke lënë edhe numrin e kontaktit të emergjencave – 038 245 777, për kontakt, në rast nevojë.

Ekipet e pastrimit të rrugëve në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore