Kosova

BE: Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut në kundërshtim me përpjekjet për de-eskalim në veri


Ilustrim

Bashkimi Evropian (BE) të enjten ka konsideruar se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për “largimin” e institucioneve ilegale serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve është në kundërshtim me përpjekjet për de-eskalimin e situatës në veriun e vendit dhe uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për media është shprehur i shqetësuar për ndikimin që mund të kenë në situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe vendimet e fundit të autoriteteve lokale për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave komunale.

Në këtë drejtim, zëdhënësi i BE-së ka nënvizuar ndër të tjera se për çështjen e strukturave ilegale të udhëhequra e financuara nga Serbia, duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Stano.

Për t’i dhënë fund krizës aktuale, nga BE-ja kanë saktësuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve.

Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut në kundërshtim me kërkesat e SHBA-ve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë të mërkurën ka bërë me dije se vendimi i autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut, për lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, nuk është marrë në koordinim me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, nga ambasada amerikane kanë thënë se një vendim i tillë – sërish – nuk është marrë as në përputhje me kërkesat e përbashkëta të kominitetit ndërkombëtar për mosndërmarrjen e veprimeve që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në pjesën veriore të banuar me serbë etnikë.

Ambasada e SHBA-ve ka thënë për “Radio Evropa e Lirë” se e ka këshilluar paraprakisht Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri të vendit, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i shtojë shtresa të reja tensioni një atmosfere tashmë të njohur.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Në ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut janë të vendosura katër institucione paralele që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra e ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra e ashtuquajtur për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku i ashtuquajtur Administrativ i “Mitrovicës së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore