Kosova

BE-ja përsërit thirrjen për “zbatim urgjent” të marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë


Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, në një përgjigje për mediat në Kosovë, ka përsëritur thirrjen që të nisë zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën liderët e Kosovës dhe Serbisë e kanë arritur në fillim të vitit të kaluar, pas një cikli të gjatë negociatash, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Qëndrimi i BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është shumë i qartë, ai i është komunikuar të gjithë të përfshirëve në disa raste dhe s’ka ndryshuar: duhet urgjentisht të niset me zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe aneksit të saj. Progresi në këtë drejtim është i lidhur ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.

Kosova, ndërkohë, nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, apo që zbatimi i marrëveshjes të nisë nga themelimi i këtij mekanizmi, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që burojnë nga dialogu, kryesisht sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Kosovës.

BE-ja “s’do të heq dorë” nga marrëveshjet e dialogut – zbatimi unilateral (s’)do të prodhojë “rezultate impresive” për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore