Kosova

BE-ja konfirmon takimin për dinarin në kuadër të dialogut


Ilustrim

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Nabila Massrali, konfirmoi të enjten në një konferencë për shtyp pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë në takimin e thirrur për të martën e 27 shkurtit në Bruksel të Belgjikës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje përmes kompromisit të negociuar për ndalimin e dinarit serb në territorin kosovar.

“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut”, tha ajo.

Ndryshe, duke shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS) për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit, zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, në një përgjigje për Albanian Post të hënën, njoftoi se zyrtarë të institucionit themelor bankar në Kosovë do të marrin pjesë në takimin informues të 27 shkurtit në Bruksel.

“BQK-ja kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS) për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)”, pohoi ai.

“Në këtë kuptim, [BQK] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, shtoi ndër të tjera Kada, pa specifikuar se kush do të jetë pjesë e delegacionit të palës kosovare në takimin e nesërm.

BE-ja ftoi Kosovën dhe Serbinë për të negociuar mbi dinarin në një takim që do të zhvillohet të martën në një vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit. Ftesa u bë pas takimeve që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, zhvilloi me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, javën e kaluar në Mynih të Gjermanisë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherë shef i ekipit negociator të palës kosovare, deklaroi të mërkurën se refuzoi ftesën e BE-së për të negoicuar për çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe për më tepër, akuzoi diplomatin sllovak për shkelje të parimeve, posaçërisht sa i përket caktimit të një takimi pa pajtim me Qeverinë e Kosovës.

“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi në një konferencë për media në Prishtinë.

Ndërkaq, dy ditë para takimit të paraparë në kryeqendren evropiane që pritet t’i kushtohet ekskluzivisht rregullores së BQK-së mbi operacionet me para ta gatshme në vend, ku përfshihet edhe ndalimi i përdorimit të dinarit serb për transaksione në Kosovë, mediat serbe raportuan se kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, do të përfaqësojë palën serbe në Bruksel.

“Delegacioni nga Beogradi, nën udhëheqjen e drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, do të marrë pjesë në raundin e ri të dialogut në Bruksel”, njoftoi të dielën agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” duke u thirrur në burime brenda delegacionit të palës serbe në dialogun teknik.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Kosova u thotë “Jo” negociatave politike për dinarin serb – Serbia e çon Petkoviçin te Lajçaku në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore