Kosova

BE-ja i kërkon Kurtit përmbylljen e dialogut me Serbinë


Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrel dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë uruar kryeministrin Albin Kurti nw Twitter.

Por, në urimet e tyre ata ia kanë kujtuar Kurtit dialogun Kosovë-Serbi dhe normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Borrel dhe Lajçak shkruajnë se BE mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe luftën kundër COVID-19.

“Urime Kryeministrit të ri të Kosovës. Presim të punojmë së bashku për ta përmbyll suksesshëm dialogun Beograd-Prishtinë. Kjo është thelbësore për rrugën drejt BE-së. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe ballafaqimin me COVID19”, shkruan Borrel.

Ndërsa, i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak tha “Bashkimi Evropian është i gatshëm për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi”.

“Urime Albin Kurtit për postin e kryeministrit. Uroj suksese në përmbushjen e pritjeve të mëdha të qytetarëve të Kosovës. BE është e gatshme të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, shkruan Lajçak.

Ndërkohë, Kurti pati theksuar se s’i ka ndërruar prioritetet as pas takimit Lajçak në fillim të muajit në mars në Prishtinë.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë (dialogu), sepse janë drejtësia dhe punësimi”. 

“Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – për BE-në, Kosovën dhe Serbinë, si dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, kishte deklaruar Kurti pas takimit me Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore