Lajme

BE-ja, e gatshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Mbretërinë e Bashkuar


Bashkimi Evropian (BE) do të paraqesë propozimet e veta sa i përket mosmarrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar (MB), në lidhje me tregtinë në Irlandën e Veriut.

Mbretëria e Bashkuar dëshiron ta ndryshojë marrëveshjen, e arritur si pjesë e procesit të Brex-it.

Kjo për të lejuar qarkullimin e lirshëm të mallrave midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Sipas saj, rregullat aktuale imponojnë shumë barriera në shitjen e mishit dhe produkteve të tjera.

Propozimet e BE-së pritet të përfshijnë kontrolle të reduktuara të mallrave dhe ilaçeve.

Në fillim të vitit, një marrëveshje e re pas Brexit – e njohur si Protokolli i Irlandës së Veriut – u prezantua për të ndihmuar në parandalimin e kontrolleve përgjatë kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Ajo përfshin mbajtjen e Irlandës Veriore në tregun e vetëm të BE-së për mallrat – por kjo, nga ana tjetër, krijon një kufi të ri tregtar me Britaninë e Madhe.

Protesta kundër Brexit
“Dëgjim i kujdesshëm”

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Maros Shefçoviç, tha se propozimet e reja për protokollin do të ishin “shumë të gjera” dhe se ai shpresonte se ato do të shiheshin si të tilla.

Propozimet kuptohet se përfshijnë një marrëveshje unike rreth agro-ushqimit, e cila përfshin bujqësinë, hortikulturën dhe përpunimin e ushqimit dhe pijeve.

Kjo synon të zvogëlojë ndjeshëm kontrollet mbi produktet që lëvizin nga Britania e Madhe në Irlandën Veriore.

Do të ketë gjithashtu një angazhim për të lejuar shitjen e vazhdueshme të mishit nga Britania e Madhe në Irlandën Veriore, ku këto produkte po përballeshin me një ndalim.

BE-ja ka theksuar se do të ndryshojë ligjet e saj në një përpjekje për të zgjidhur çështjet rregullatore të cilat po paraqesin një kërcënim për furnizimin me ilaçe në Irlandën e Veriut.

Ministri i Jashtëm i Republikës Irlandeze, Simon Coveney, tha se propozimet pasqyronin “muaj punë të palodhur dhe dëgjim të kujdesshëm në të gjithë Irlandën Veriore.

Ministri i Jashtëm i Republikës Irlandeze, Simon Coveney
Verisoni alternativ

BE-ja po ofron përmirësime në protokollin ekzistues.

Kjo është shumë pak për Lord Frost-in, i cili ka paraqitur një version alternativ.

Ky version kërkon heqjen e referencave për zbatimin e vazhdueshëm të ligjit të BE-së në Irlandën e Veriut dhe do të eliminonte rolin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Problemi është se kjo mbetet një gjë e “pakapërdishme” për BE-në.

Të dyja palët do të shohin nëse mund ta kapërcejnë diferencën gjatë disa javëve të negociatave intensive.

Që do të thotë se pika tjetër e krizës ka të ngjarë të ndodhë në mes të nëntorit.

Lord Frost, ministri britanik i Brexit
Cila është marrëveshja për Irlandën e Veriut?

Gjatë negociatave për Brexit, të gjitha palët ranë dakord se mbrojtja e marrëveshjes së paqes në Irlandën e Veriut (marrëveshja e së Premtes së Mirë) ishte një përparësi absolute.

Kjo nënkuptonte mbajtjen e kufirit tokësor midis Republikës së Irlandës (në BE) dhe Irlandës Veriore (në MB), shmangien e infrastrukturës së re, si kamerat dhe postat kufitare.

Kjo ishte e lehtë kur i gjithë ishulli i Irlandës ishte pjesë e BE-së.

Por, pas Brexit, një rregullim i ri ishte i nevojshëm, sepse BE-ja kërkon që disa mallra të kontrollohen në pikën e hyrjes në tregun e saj të vetëm.

Pra, BE-ja dhe Britania e Madhe negociuan për Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2021.

Pas Brexit, Irlanda e Veriut vazhdon të ndjekë shumë rregulla të BE-së, veçanërisht ato që rregullojnë tregtinë e mallrave, që do të thotë se kamionët mund të kalojnë kufirin tokësor pa u inspektuar.

Sidoqoftë, ekziston një kufi i ri “rregullator” midis Irlandës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar (Angli, Skoci dhe Uells), sepse kjo e fundit nuk po i ndjek më ato rregulla.

Çfarë është Brexit?

Brexit (do të thotë “dalja britanike”) i referohet procesit të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe ndryshimit të marrëdhënies së saj me bllokun në tema, si siguria, tregtia dhe migrimi.

Britania zyrtarisht u largua nga BE-ja më 31 janar 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore