Kosova

BE-ja dhe KFOR-i dematojnë Osmanin, insistojnë që hapja e urës së Ibrit është çështje e dialogut


Vjosa Osmani

Bashkimi Evropian dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se çështja e hapjes së Urës mbi lumin Ibër është temë e dialogut Prishtinë-Beograd, që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Ky qëndrim i BE-së dhe KFOR-it sa i përket urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut demanton Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila, para disa ditësh, deklaroi se falë insistimit të saj tashmë komuniteti ndërkombëtar nuk po kërkon më që çështja e hapjes së urës të diskutohet në procesin e dialogut.

“Tash më nuk ka insistim që kjo çështje të shkojë në dialog me Serbinë për shkak të insistimit tim të vazhdueshëm edhe me BE-në edhe me NATO-n edhe me shtetet veç e veç që të bëhet dëm i jashtëzakonshëm nëse kjo dialogohet me Serbinë”, tha Osmani në një intervistë për “Kallxo”.

E para e vendit, ndër të tjera, në këtë intervistë potencoi se për këtë çështje s’ka çka pyetet Serbia, ndërsa shprehu besimin se gjatë këtij viti mund të ndodhë hapja e urës, meqë në vlerësimin e saj “nuk ka kërkesë që ta mbajmë urën të mbyllur gjithmonë, por ka kërkesë që momentin ta dakordojmë”.

E për këto deklarata Albanian Post e ka pyetur Bashkimin Evropian, të cilët ripërsëriten qëndrimet e tyre në lidhje me këtë temë.

Zëdhënësi i Unionit, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për AP, tha se hapja e urës kryesore në Mitrovicë duhet të diskutohet domosdoshmërisht në dialog.

“Hapja e urës është çështje e dialogut edhe pse Qeveria e Kosovës vepron në të kundërtën. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë NATO-n dhe KFOR-in, ne kundërshtojmë veprimin për të ndryshuar statusin aktual të urës pa koordinim dhe marrëveshje paraprake në Dialog”, pohoi Stano për AP.

Qëndrim të njëjtë kishte edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.

KFOR ka ripërsëritur, ashtu siç ka bërë BE-ja, se një vendim i tillë paraprakisht duhet të diskutohet në procesin e dialogut e udhëhequr nga Unioni.

Një ripërtëritje e një qëndrimi të tillë erdhi pak orë pas Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë kryer të gjitha procedurat për hapjen e Urës, ndërsa tani po presin QUINT-in (SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën e Italinë) dhe KFOR-in.

KFOR-i është përkujdesur të theksojë qe hapja e urës duhet të ndodh në koordinim me ndërkombëtarët.

“Për çështjen e hapjes së mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar“, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it.

Nga ana tjetër, Kurti të martën tha se Qeveria është e gatshme për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, duke shtuar se po presin KFOR-in dhe QUINT-in.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një prononcim për gazetarë nga Veriu, pasi që ka vizituar atë pjesë të Kosovës të martën, ku ka vënë gurthemelin e një stacioni policor në Leshak të Leposaviqit dhe ka qëndruar në Mitrovicë të Veriut.

“Po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet, por Qeveria me të gjitha dikasteret e saj është e gatshme që ta bëjë hapjen, po i presim QUINT-in e KFOR-in. Ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik”, ka thënë Kurti.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kurti, është duke insistuar në hapjen e plotë të urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pasi që aktualisht shfrytëzohet vetëm për këmbësorë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), kanë kundërshtuar hapjen e urës në këto momente, derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore