Shqipëria

BE i jep 80 milionë euro Shqipërisë për të përballuar krizën energjetike


Bashkimi Evropian premtoi 80 milionë euro për Shqipërinë në grante për të trajtuar krizën energjetike dhe kjo do të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Ne po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor. Mbështetje të drejtpërdrejt buxhetore për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve. Do të jenë 80 milionë euro në grante”, theksoi përfaqësuesja e lartë evropiane.

Sipas saj, pjesa e dytë e financimit ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por do të vijë pas muajit janar, 500 milionë euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike.

Kjo e fundit, do të jetë në impiantin lundrues diellor në Vaun e Dejës.

Kryeministri Edi Rama sqaroi se kjo shifër mbulon vetëm 1/6-ën e shumatores së nevojshme për buxhetin total dedikuar energjisë.

“80 milionë euro nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme, ndërkohë që nëse i referohemi këtij viti ne na është dashur në total, 460 milionë euro, e kombinuar mes buxhetit të shtetit dhe operatorit të energjisë”, tha kreu i qeverisë.

Rama garantoi se nuk do të ketë një rritje të çmimit për energjinë, pasi vendosja e fashës 800 kWh, është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë nevojat bazike.

“Mbi 1 milion konsumator, janë maksimumi 60 mijë familje që dalin mbi këtë tavan në kulmin e nevojës për ngrohje apo ftohje. Sa i përket kursimit shikojmë pozitivitet, nëse do kursehet arsyeshëm, s’kemi nevojë për fashën”, shtoi kryeministri shqiptar.

Deklarata

Von der Leyen deklaroi në vijm se Shqipëria po ecën përpara e vendosur në rrugën e saj drejt BE-së.

“Raporti i fundit i zgjerimit ka treguar të gjitha përparimet që ka bërë Shqipëria. Po forconi shtetin e së drejtës, ku arritët të gjenit një konsensus ndërpartiak”, u shpreh von der Leyen.

Kryekomisionerja evropiane ndodhet në një tur evropian, ku si qëllim kryesor ka përsëritjen e mbështetjes së unionit karshi Ballkanit Perëndimor, si edhe ndihmën për rrugëtimin evropian të të gjashtë vendeve të rajonit.

Fillimisht, përfaqësuesja e lartë evropiane kujtoi ndryshimet nga vizita e saj e kaluar – në vëmendje solli hapjen e negociatave me BE-në në korrik të këtij viti.

Sakaq, presidentja e KE-së e konsideroi “shembullore” përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe advokimin për Ukrainën kundër agresionit rus.

Më herët, von der Leyen zhvilloi një vizitë në Kosovë, ku përcolli një sërë mesazhesh me rëndësi.

Kryekomisionerja evropiane, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka ri-deklaruar se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018.

Por, tani ka mbetur që të bëhet përpjekja diplomatike, tha Von der Leyen.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave, i keni përmbushur të gjitha standardet. Ishte vlerësim i imi që kjo të bëhej në vitin 2018, tani e keni konfirmuar se i keni plotësuar kriteret”, pohoi presidentja e KE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore