Kosova

Bankat i fituan mbi 120 milionë euro, kryesisht nga interesi në kredi – por po i rrisin prapë normat e interesit


120.3 milionë euro i fituan bankat e Kosovës gjatë periudhës janar-tetor 2022. Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës arkëtimet nga interesi në kredi kishin kontributin kryesor në këtë rritje.

Por, pavarësisht fitimeve enorme në kohën kur Kosova po përballet me krizë ekonomike dhe inflacion të lartë, bankat nuk janë ngopur me kaq.

Sipas raportit BQK-së, 11 bankat që janë në tregun e Kosovës kanë rritur numrat e interesit në kredi dhe në depozita, “si masë për menaxhimin e rrezikut në rritje nga inflacioni, pothuajse të gjitha bankat kanë rritur, apo në rast të disa prej bankave kanë filluar, aplikimin e normave variabile të interesit”.

“Normat e interesit në kredi, të cilat në vitet e fundit kishin shënuar rënie graduale, në vitin 2022 ndërprenë trendin rënës, dhe në tremujorin e dytë të vitit 2022 u vërejt rritje margjinale, e që pritet gradualisht të përshpejtohet gjatë periudhave në vazhdim”, thuhet në raport.

“Njëkohësisht, normat e interesit në depozita, të cilat po ashtu në vitet e fundit shënuan rënie, në vitin 2022, dhe në veçanti në tremujorin e dytë të vitit 2022 filluan të rriten”.

Bega: Jo logjike që shërbimet bankare në Kosovë të jenë më të shtrenjta se në Evropë

Njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Bega, thotë për Albanian Post se stabiliteti financiar i vendit varet drejtpërdrejt nga performanca pozitive e sistemit bankar, prandaj sipas tij fitimet e realizuar në 10 mujorin e parë nuk do të duhej të paraqisnin shqetësim për shtetin në parim.

Ai potencon se pse viteve të fundit ka pasur rënie të theksuar në normat e interesit të kredive, ato vazhdojnë të mbesin të larta krahasuar me shtetet e rajonit apo ato të Evropës.

“Por, nëse e shikojmë burimin e këtij fitimi, atëherë mund të konstatojmë që ky fitim rrjedh nga mosveprimi i shtetit pasi 26 për qind e të hyrave të bankave komerciale buron nga të hyrat prej jo interesit dhe kjo duhet të paraqiste alarm për veprim nga Bankën Qendrore”, tha Bega.

Erton Bega

Madje, ai kërkon që për t’i ulur pagesat e shërbimeve bankare, duhet të interveojnë Qeveria dhe Kuvendi.

“Nëse BQK nuk ndërmerr masa për të kufizuar lartësinë e pagesave të shërbimeve bankare, atëherë qeveria dhe kuvendi duhet të merren me këtë çështje. Është e pakuptim dhe jo logjike që shërbimet bankare në Kosovë të jenë më të shtrenjta se në Evropë”.

“Tregu është i lirë në ato aspekte që nuk janë obligative me ligj, por nëse një shërbim obligohet me ligj dhe akte nënligjore nga institucionet, kjo favorizon bizneset në atë sektor dhe fitimet e tyre do të rriten vazhdimisht pasi bizneset themelohen me qëllim fitimin dhe fitimi është më i lehtë e më i lartë kur produktet apo shërbimet e caktuara obligohen me ligje”.

Bega mendon se është e dëmshme të lejosh bankat të përcaktojnë çmimoret për shërbime të kësaj natyre pa kufizime, “përveç nëse ky është në qëllimi i institucioneve për të maksimizuar profitin e bankave”.

“BQK duhet të jetë konkrete në përcaktimin e lartësisë së pagesave për këto shërbime pasi që është interes i shtetit dhe shoqërisë qarkullimi i parasë përmes sistemit bankar”.

Për Begën, roli i BQK-së në këtë aspekt mund të aplikohet në liberalizimin e mëtejme të tregut përmes licencave të reja bankare të cilat do të rrisnin konkurueshmërinë, por nuk rekomandohet të vendosen kufizime në lartësinë normave të interesit për kredi duke u bazuar në kushtetutën e vendit dhe parimet e ekonomisë së hapur.

Ndryshe, sipas të dhënave të BQK-së vlera e tërësishme e kredive ka arritur në shumën e 4 miliardë e 268 milionë euro. Nga kjo shumë, 1 miliard e 595 milionë janë dhënë për ekonomitë familjare dhe 2 miliardë e 645 milionë për korporatat jo financiare.

Ndërsa norma në kredi në Kosovë është 7 6.3 për qind, për ekonomitë familjare 6.1 për qind prej të cilave konsumuese 6.4 për qind, prej të cilave hipotekare 5.0 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore