Kosova

Bajrami: Nagip Krasniqin dhe të korruptuarit e pushtetit i ndëshkon ligji dhe vota


hykmete Bajrami, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK

“Nagip Krasniqin dhe të korruptuarit e pushtetit i ndëshkon ligji dhe vota”, ka thënë deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.

Këto komente, Bajrami i ka bërë përmes një postimi në Facebook, një ditë pasi që Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në vlerësimin e Bajramit, kontratat e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë janë burim i korrupsionit.

“Vetëm në një rast, në atë të KEK-ut/Nagip Krasniqit, Prokuroria po thotë se buxheti i shteti është dëmtuar mbi 3.7 milionë euro, derisa ministrat e Albin Kurtit deri sot kanë nënshkru mbi 900 kontrata sekrete në vlerë mbi 240 milionë euro”, shkroi deputetja.

Ish-Ministrja e Financave ka rikujtuar kohën kur kryeministri Albin Kurti dhe të gjithë zyrtarët e lartë të VV-së garantonin për Nagip Krasniqin, “derisa buxheti i shtetit dëmtohej me mbi 3,7 milionë euro”.

“Zotëria kishte vendosur që të tregtoj energji me një kompani të palicensuar në kundërshtim me Ligjin, në kundërshtim me ZRRE-në dhe në kundërshtim me zyrën ligjore të KEK-ut”.

Njëjtë siç e kanë mbrojtë Nagipin, shtoi Bajarami, vazhdojnë ta mbrojnë Martin Berishajn, “e derisa mbrojnë të korruptuarit e tyre me çdo çmim, tentojnë t’i kapin organet e drejtësisë”.

“E pikërisht për këtë është tepër e rëndësishme që të ruhet me çdo kusht pavarësia e organeve të drejtësisë që të korruptuarit dhe kriminelët të dënohen pavarësisht sa të afërt janë ata me pushtetin – cilido qoftë ai pushtet”.

Andaj, në prizmin e saj, është jetike që në zgjedhjet e ardhshme qytetarët e këtij vendi “me votu për demokraci, për institucione të pavarura dhe për një qeveri që nuk i vjedh taksat e tyre, por i kthen ato në mirëqenie për ta”.

Në fund, ajo u bëri thirrje organeve të hetuesisë që të hetojnë secilën kontratë të negociuar dhe përgjegjësit të paguajnë për dëmet që kanë shkaktuar.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjëri s’duhet të trajtohet si i tillë”, përfundoi Bajrami.

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore