Lajme

Bajrami i Fitrit, Tërnava e krerët e shtetit të Kosovës urojnë qytetarët


Xhamia e Madhe e Prishtinës “Sulltan Mehmet Fati”

Besimtarët myslimanë nga kjo e premte festojnë Bajramin e Fitrit.

Festë kjo që vjen pas Muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanët agjërojnë në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Në Kosovë ceremonia kryesor është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fati”,

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka uruar besimtarët për këtë festë ka bërë thirrje për unitet.

“Në këtë mëngjes të bukur jemi mbledhur në xhamitë tona për të festuar Fitër Bajramin, festë që bartë harenë, gëzimin në zemrat e besimtarit. Të gjithë besimtarët urojnë e gëzojnë, ngase për një muaj kanë zbatuar urdhërin e Zotit për agjërim”, tha kryeimami.

”Agjërimi për besimtarin është sakrificë që bëhet vetëm për Krijuesin dhe ka arsye që të festojë me familje. Në Ramazan na bashkoi lutja, sofra e iftarit dhe prandaj sot kemi arsye që ta festojmë këtë Fitër Bajram”, tha Tërnava.

“Ramazanin po e përcjellim me krenari. Fitër Bajrami është festa më popullore që presin gjithë grupmoshat”, u shpreh Tërnava.

Myftiu Naim Tërnava, pas faljes së namazit të Fitër Bajrami

“U pranofshim lutjet tuaja”, ka uruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, besimtarët mysliman në këtë Bajram të Fitrit.

Ajo ka uruar qytetarët që ta kalojnë në një atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.

Osmani thekson se kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, “një trashëgimi e jona e bartur ndër breza”.

“Le të shërbejë kjo ditë feste për tu ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t’i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë. U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja!”, përfundon urimin e para e shtetit.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Besimtarëve myslimanë këtë festë të veçantë për ta, ua ka uruar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se kjo festë sjell paqe, pas një muaji përkushtimi e sakrifice.

“Me fat Fitër Bajrami! Pas një muaji përkushtim e sakrificë për lartësim shpirtëror, uroj që kjo festë të ju sjellë gëzim dhe paqe! Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfrit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje. Uroj mirësi e begati në shtëpitë tuaja dhe në shtetin tonë!”, shkruan Kurti.

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

“Si përfundim i Ramazanit, ne sot shënojmë Festën e Bajramit”, ka nisur urimin e tij për këtë Fitër Bajram, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Në këto ditë të veçanta hareje, paqja, harmonia dhe lumturia duhet të jenë prioriteti ynë kryesor”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Duke e vizituar dhe përqafuar njëri-tjetrin, ka thënë Konjufca, “le të ndajmë mikpritjen, dashurinë dhe mirënjohjen mes nesh, ashtu siç ndajmë edhe ëmbëlsirat”.

Ai ka uruar që kjo festë të sjellë më shumë gëzime, shëndet e prosperitet në familjet e gjithsecilit.

“Të udhëhequr nga kjo dashuri, të përkushtohemi edhe më shumë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë. Gëzuar Bajramin!”, ka përfunduar urimin Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore