Vende

Autorja filantropike më e re në botë


Kate Gilman Williams, pasi mësoi për rreziqet me të cilat përballen kafshët e egra kohët e sotme, u bind që të merret me rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë.

Gepardët, elefantët gjigantë, rinoqerontët madhështorë. Këto pa ajo kur ishte vetëm shtatë vjeç.

Asokohe, prindërit e saj e morën atë në udhëtimin tokësor për të vëzhguar kafshë të egra në Afrikën e Jugut dhe e vogla u magjeps nga çfarë pa.

“Përherë kisha një dashuri të natyrshme për kafshët”, ka treguar Williams për të përditshmen “BBC”.

Por bashkë me udhëtimin, ajo zbuloi edhe një realitet shqetësues: kërcënimin e krijesave ikonike të savanës me të cilat të gjithë jemi njohur që nga fëmijëria e hershme, në librat me tregime dhe këngët e çerdheve.

“Kisha udhërrëfyesen e quajtur Michelle dhe ajo më mësoi gjithçka që di për kafshët. Por ajo më tha gjithashtu se njerëzit po vrasin kafshë dhe unë doja të bëja diçka për të ndihmuar”, ka treguar Williams, e cila tani është 11 vjeç.

Për të “ishte e pabesueshme të shihje kafshë në habitatet e tyre natyrore. Por mund të shihje elefantët dhe të mësoje se çdo 15 minuta një elefant vritej”.

E vogla Williams, në kthimin për te shtëpia e vet në Austin, Texas, nuk e harroi tragjedinë ekologjike, e cila po shpaloset edhe aktualisht.

Kështu, ia nisi të shkruajë një libër me udhërrëfyesen e saj të kafshëve të egra, Michelle Campbell, “Let’s Go On Safari”, në të cilin ajo përshkruan përvojat e saj në atë udhëtim të paharrueshëm.

E veçanta e librit është se Williams i zbërthen me fakte rreziqet e shkaktuara nga njeriu dhe me të cilat përballen sot kafshët që ajo takoi atëherë.

“BBC” tregon se libri nuk është tërësisht jofitimprurës, me 100 për qind të të ardhurave që shkojnë për partnerët e saj të ruajtjes: Instituti Jane Goodall, Sheldrick Wildlife Trust dhe Re: Wild.

Prej kësaj, Williams mendohet të jetë autorja më e re filantropike në historinë botërore dhe deri më tani ka mbledhur mbi 15 mijë dollarë me shitjen e kopjeve të librit.

“Ndihem shumë mirë si një mbrojtëse e re e kafshëve të egra, sepse e di që nuk duhet të presësh derisa të jesh i rritur për të bërë ndryshimin. Mund të bësh ndryshimin edhe tani”, ka ravijëzuar Williams.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore