Lajme

Autorja Alice Sebold i kërkon falje abuzuesit seksual të supozuar


Autorja amerikane, Alice Sebold, ka kërkuar falje për dënimin e padrejtë të një burri, mbi të cilin nuk rëndon më akuza e abuzuesit seksual, të supozuar prej saj në vitin 1981.

Në librin e saj të kujtimeve të quajtur “Lucky”, autorja ka shkruar se ishte përdhunuar dhe më vonë i ka treguar policisë se kishte parë një burrë me ngjyrë në rrugë, për të cilin besonte se ishte sulmuesi i saj, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Kështu, sulmuesi i supozuar, Anthony Broadwater, u arrestua dhe u dënua, duke kaluar 16 vjet në burg.

Në një deklaratë nga Broadwater, të lëshuar përmes avokatëve të tij, ai ka thënë se ishte “i lehtësuar që ajo kërkoi falje”.

Në deklaratën për falje të Sebold-it, ajo ka shprehur keqardhjen që Broadwater për dënimin e tij me pa të drejtë.

“Më vjen keq, mbi të gjitha për faktin se jeta që mund të kishit bërë, u është grabitur padrejtësisht dhe e di që asnjë falje nuk mund ta ndryshojë atë që ju ka ndodhur dhe nuk do ta ndryshojë kurrë”, ka thënë ajo.

Për sa i përket librit që autorja ka shkruar, në të detajonte se si ajo u sulmua kur ishte një studente 18-vjeçare në Universitetin Syracuse në New York.

Kurse muaj më vonë, ajo ka raportuar se kishte parë një burrë me ngjyrë në rrugë, për të cilin mendonte se ishte sulmuesi i saj. Prandaj dhe njoftoi policinë.

Pas kësaj, një oficer policie e ndaloi Broadwater-in, i cili mendohet se kishte qenë në zonë asokohe.

Pas arrestimit të tij, Sebold nuk arriti ta zgjidhte atë në rreshtin e policisë, por një burrë tjetër. Megjithatë, Broadwater u gjykua dhe u dënua bazuar në denoncimin e saj dhe analizën mikroskopike të flokëve.

Në vitin 1998, pasi Broadwater u lirua nga burgu, ai mbeti në regjistrin e abuzueseve seksualë.

Mirëpo, ka treguar “BBC”, u shfajësua më 22 nëntor, pasi një rishqyrtim i çështjes zbuloi se ishte dënuar me prova të pamjaftueshme.

Ndërkohë, Sebold ka pohuar në deklaratën e saj se kishte kaluar tetë ditët e fundit, duke u përpjekur të “kuptonte se si mund të kishte ndodhur kjo gjë”.

“Gjithashtu do të përballem me faktin se përdhunuesi im, sipas të gjitha gjasave, nuk do të dihet kurrë, mund të ketë vazhduar të përdhunojë gra të tjera dhe sigurisht nuk do të vuajë kurrë dënimin që bëri Broadwater”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore