Shqipëria

Autoritetet do të krijojnë një strukturë për sigurinë publike gjatë sezonit turistik


Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla, deklaroi gjatë bilancit të sezonit turistik veror se do të krijohet një strukturë brenda Policisë së Shtetit për sigurinë publike gjatë sezonit turistik.

“Prandaj, dua ta njoftoj sot që po krijojmë një forcë kombëtare të sigurisë publike brenda Policisë së Shtetit, e cila do të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme për përballimin e nevojave dhe pritshmërive të Shqipërisë turistike 10 milionë plus”, theksoi fillimisht zyrtari shqiptar.

Balla gjendej i pranishëm në konferencën për media së bashku me ministren për Turizmin dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro, zëvendës kryeministren dhe ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku si dhe kreun e ekzekutivit Edi Rama.

Ai sqaroi se kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë praninë dhe efikasitetin e Policisë në të gjithë territorin.

“Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë praninë dhe efikasitetin e Policisë në të gjithë territorin me një fokus të veçantë te pjesa që lidhet me mbarëvajtjen e sezonit turistik 2024”, ravijëzoi Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore