Kosova

Atiq dënon djegien e shtëpisë në Veri: Do të punojnë që secili qytetar të ndihet i sigurt


Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e ka dënuar ashpër djegien e një shtëpie në Veri, derisa ka theksuar se sulmi ka ndodhur rreth orës 00:30 dhe fatmirësisht sipas tij, dëme në njerëz nuk ka pasur.

“Mbrëmë pas mesnatës, është sulmuar një nga shtëpitë e ndërtuara në veri të Mitrovicës nga Qeveria e Kosovës në lagjen Bergjani. E dënoj ashpër çdo sulm që ka për qëllim t’i frikësojë qytetarët nga kthimi në shtëpitë e tyre”, shkroi ai në Facebook.

“Ne, si komunë në bashkëpunim me Policinë dhe Qeverinë e Kosovës do të punojmë në sigurinë dhe stabilitetin në veri të vendit që secili qytetarë të ndihet i sigurt në pronat e tyre”, shtoi.

Edher Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të ndiqen nga organet e rendit fajtorët që dogjën një shtëpi në “Kodrën e Minatorëve”.

“Është deklaruar Policia e Kosovës. Ne do ta bëjmë sanimin e këtij dëmtimi, ata që bënë këtë krim do të ndiqen nga organet e republikës së Kosovës”, tha Kurti para gazetarëve.

Mëngjesin e këtij të marte, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se është djegur një shtëpi në Veri.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar, teksa ka fajësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, theksoi ai.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja.

“Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm”, potencoi Krasniqi.

Më 16 shtator, Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sërish ka marrë vendim që të ndajë mjete shtesë për ndërtimin e shtëpive në Veri.

Kontrata është publikuar në faqen e Komisonit Rregullativ të Prokurimit Publik më 11 shtator, teksa vlera e saj është 128 mijë euro.

Në bazë të kontratës parashihet që të ndërtohen rreth 11 shtëpi në atë pjesë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se ky vendim do t’i shërbejë rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore