Shqipëria

Atentati në Don Bosko kishte si shënjestër Fatjon Muratin


Disa orë pas ngjarjes së rëndë në Don Bosko, zbulohet se atentati i autorëve synonte pikërisht pronarin e barit, Fatjon Muratin.

Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi ka qenë miku i Endrit Dokles dhe ishte arrestuar në tetor të vitit të kaluar.

Ai u u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim, për zotërimin e një arsenali armësh të sekuestruara gjatë muajit korrik.

Murati ishte duke lëvizur në një makinë të blinduar, me Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Ruçi.

32-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit.

Murati deklaroi asokohe se nuk kishte lidhje me arsenalin e armëve, por sipas tij gjithçka është aksidentale.

Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar gjithashtu nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë.

Kjo, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit.

Pas ndalimit të tij, Muratit iu sekuestruan të gjitha pasuritë, mes tyre edhe bari që u qëllua me breshëri plumbash mbrëmjen e të dielës.

Incidenti

Si pasojë e të shtënave, humbi jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit.

Ngjarja, sipas autoriteteve ka ndodhur nga persona ende të paidentifikuar.

Nga të shtënat mbetën të plagosur pesë persona: S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu u dëmtua në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në rrugën “Anastas Shundi”, pranë zonës së Don Boskos rreth orës 21:05.

Policia sqaron se për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Reagimet

Kryedemokrati Sali Berisha do të reagonte menjëherë pas ngjarjes së rëndë në kryeqytet duke dënuar “autorët e kësaj masakre”.

“Dënoj me forcën më të madhe autorët e kësaj masakre dhe denoncoj lidhjet e tmerrshme të qeveritarëve me bandat dhe krimin, si faktori më kryesor që ka vendosur rendin dhe sigurinë në duart e bandave të lidhura ngushtë me qeverinë”, shkruan ish-kryeministri.

Në përmbyllje, Berisha i shprehu ngushëllime familjes së viktimës dhe uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“Pa kaluar dy javë nga vrasja makabre e tre grave të pafajshme krimi godet sërish, kësaj radhe duke rrezikuar në mënyrë ekstreme jetën e njerëzve të pafajshëm në lagjen e Don Boskos. Kriminelët lëvizin lirshëm në rrugët e Tiranës dhe rrezikojnë çdo ditë jetën e qytetarëve”.

Kështu shkruante kreu i Partisë së Lirisë pas ngjarjes së rëndë të 12 marsit.

Sipas tij, kjo situatë e rendit dhe sigurisë publike, “që përkeqësohet çdo ditë dhe çdo orë tregon qartë se qeverisja e Rilindjes ka dështuar totalisht dhe e ka futur vendin në kaos”.

Ish-presidenti shtoi se Qeveria nuk ka bërë asgjë për ndalimin e kriminalitetit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprave kriminale ndaj të cilave po ekspozohen të pambrojtur qytetarët shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore