Lajme

Astronautët mund të jenë të prirur ndaj mosfunksionimit erektil, sipas një studimi


Astronautët meshkuj mund të kthehen nga hapësira e thellë të prirur ndaj mosfunksionimit erektil, thonë shkencëtarët.

Në atë që pretendohet të jetë studimi i parë që vlerëson ndikimin e rrezatimit galaktik dhe mungesës së peshës në shëndetin seksual të meshkujve, studiuesit e financuar nga NASA zbuluan se rrezet kozmike galaktike, dhe në një masë më të vogël mikrograviteti, mund të dëmtojnë funksionin e indeve, me efekte që zgjasin për dekada.

Duke ngritur shqetësimet e tyre në një raport, studiuesit amerikanë thanë se kishin identifikuar “një rrezik të ri shëndetësor për t’u marrë parasysh me eksplorimin e thellë të hapësirës”.

Ata kërkuan që shëndeti seksual i astronautëve të monitorohet nga afër gjatë kthimit të tyre nga misionet e ardhshme në hapësirë, duke vënë në dukje se disa antioksidantë mund të ndihmojnë për të luftuar efektet e këqija duke bllokuar proceset e dëmshme biologjike.

“Teksa ndikimet negative të rrezatimit kozmik galaktik ishin afatgjata, përmirësimet funksionale të shkaktuara nga shënjestrimi akute i rrugëve redoks dhe oksidit nitrik në inde sugjerojnë se mosfunksionimi erektil mund të trajtohet”, ka thënë Justin La Favor, ekspert për mosfunksionimin neurovaskular.

Sakaq, paralajmërimi vjen mes një fokusi të përtërirë në misionet e thella në hapësirë, me NASA-n dhe agjencitë e tjera të mëdha hapësinore duke u përgatitur për ekspedita afatgjata në Hënë dhe udhëtime më ambicioze në Mars.

Programi Artemis i NASA-s aspiron të dërgojë astronautë në Hënë që në fillim të vitit të ardhshëm, me misione të ekuipazhit në Mars të planifikuara paraprakisht për në vitin 2040.

Shkencëtarët, që nga fillimi i epokës së hapësirës, kanë eksploruar ndikimin në fiziologjinë njerëzore të mungesës së peshës dhe rrezatimit kozmik – grimcat me energji të lartë, rrezet X dhe rrezet gama që rrjedhin nga yjet dhe trupat e tjerë qiellorë.

Puna ka çuar në futjen e masave parandaluese, duke përfshirë regjime të veçanta ushtrimesh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) për të mbrojtur astronautët nga dëmtimi i kockave dhe muskujve.

Por sipas La Favor dhe kolegëve të tij në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Wake Forest në Karolinën e Veriut, efektet e fluturimit në hapësirë në mosfunksionimin erektil nuk janë hulumtuar.

“Ndërsa mosfunksionimi erektil prek më shumë se gjysmën e meshkujve mbi moshën 40 vjeç dhe përfaqëson një faktor të rëndësishëm për kënaqësinë e jetës, pasojat e udhëtimit në hapësirë në funksionin erektil janë ende të paqarta”, shkruajnë ata.

Toka është shumë e mbrojtur nga rrezatimi kozmik nga fusha magnetike e planetit dhe atmosfera e konsiderueshme, por në Hënë dhe Mars dhe në hapësirën ndërmjet tyre nuk ka asnjë pengesë efektive.

Në bordin e ISS, ekuipazhet mbrohen nga mbrojtja dhe fusha magnetike e Tokës, por megjithatë marrin në një javë aq rrezatim sa një person në tokë do të përjetonte në një vit.

Studiuesit iu drejtuan minjve për të eksploruar ndikimin e fluturimit në hapësirë në fiziologjinë mashkullore.

Në një seri eksperimentesh, dhjetëra minj u ekspozuan ndaj rrezeve kozmike të simuluara galaktike në Laboratorin e Rrezatimit Hapësinor të NASA-s.

Analiza e indeve të minjve një vit më vonë zbuloi se edhe ekspozimi i ulët ndaj rrezeve kozmike galaktike rriti stresin oksidativ.

Kjo dëmtoi funksionin e arteries që furnizon me gjak penisin dhe indin erektil.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore