Shqipëria

Askush s’ka qenë në presion, thotë Alibeaj për tensionet në mbledhjen e Kryesisë


Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka preferuar të thotë se për drejtimin e partisë mund të kandidojë kush të dëshirojë.

Ai, lidhur me tensionet mes mbështetësve të Lulzim Bashës dhe deputetëve, ka thënë se nuk ka pasur dhunë dhe ka kërkuar ndjesë për fjalorin e përdorur prej tyre.

Sipas tij, asnjë nga anëtarët e Kryesisë s’ka qenë në presion. “Unë isha në mbledhje. Asnjëri prej tyre s’ka qenë as në presion, ka pasur qëndrime të ndryshme”.

“Nëse i dhunuan ua kërkoj unë ndjesën personalisht. Modeli ndryshe është të respektojmë lirinë e shprehjes të çdo njeriu”, ka thënë ai.

Alibeaj ka referuar ndër të tjera rregullin e statutit, sipas së cilit mbledhjet nuk duhet të dalin në publik. “Kjo është ruajtje e privatësisë së mbledhjes”.

Sipas tij, duhet që një orë e më parë PD të marrë formën e plotë të funksionimit. “Zgjatja  e drejtimit të saj me kryetar të komanduar nuk ishte zgjidhja më e mirë. Ka qenë vendim i kryesisë dhe grupit ramë dakord që do vazhdonim me kryetar të komanduar deri pas zgjedhjeve”.

Për Alibeajn ishte e nevojshme që menjëherë të niste procesi i riformësimit të PD-së.

“Nuk e kuptoj tashmë që edhe pas një zgjatje prej 1 viti të marrim kohë. Rregulli është që të vëmë rregulla në statut që e bëjnë pothuajse jo të domosdoshëm jo determinant se cili është kryetari i partisë”, ka vazhduar ai.

Po ashtu ka theksuar se ai mbështet një parti me rregulla statutore demokratike, pushtet të ndara që kontrollojnë kryetarin, me pushtet që delegohen, me pushtet të decentralizuar.

“Kërkohet një rindërtim i PD-së, nuk do duhet shfokusuar nga fakti se kush do jetë kryetar. Ka të drejtën të kandidojë kushdo”, ka përmbyllur Alibeaj.

Në kalvarin e përçarjes për të zgjedhur kryetarin e ri

“Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionin që ushqen kulturën e vjetër politike”.

Kështu e nis reagimin e tij ish-kryetari Lulzim Basha, për sa i përket mbledhjes së Kryesisë së PD-së, e cila u shoqërua me debate dhe tensione. Madje militantët e tij, ushtruan dhunë verbale ndaj disa deputëtëve që braktisën mbledhjen.

Kohët e fundit Basha është parë “i rikthyer” në politikë, por në një formë ndryshe, duke u angazhuar me takime me të rinjtë.

Vetë nuk mori pjesë në mbledhje, ama debatin e zhvilluar e cilëson si konstruktiv dhe në funksion të riorganizimit të PD-së.

E gjithë dinamika e “përplasjeve” u zhvillua për temën qendrore: Gara për kryetarin e ri të Partisë.

Pas disa orësh debat, me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime zgjedhjet do të mbahen më 29 korrik.

Ky vendim, solli tension në mbledhje pasi deputetët nuk pranuan që zgjedhjet të mbahen tani.

Nga situata e krijuar, ishte deputetja Jorida Tabaku që vendosi të tërhiqet nga pozicioni i nënkryetares pasi sipas saj dëshira ka qenë që të “mos nxitohemi dhe t’i japim demokratëve një proces të drejtë, real dhe që na nderon”.

Dorëheqja e saj u pasua gjatë ditës sotme edhe nga dy kolegët: Oriela Nebijaj dhe Flamur Hoxha.

Mbrëmjen e 6 qershorit, braktisja e mbledhjes nga deputetët erdhi pasi kërkuan që fillimisht të mbaheshin zgjedhjet në bazë dhe më pas të caktohet kryetari i ri.

Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati, Dhurata Çupi ishin deputetë që braktisën të parët mbledhjen e Kryesisë, rreth orës 01:00 të mesnatës.

Gjatë largimit nga mbledhja, deputetët janë sharë dhe ofenduar nga militantët e ish-kryetarit Lulzim Basha që ishin mbledhur para selisë blu. Nga ana tjetër, anëtarët e tjerë të Kryesisë u kërkuan deputetëve llogari se përse nuk kanë qenë aktivë në fushatën për zgjedhjet e 14 majit, sidomos në atë të Tiranës.

I pari që reagoi ndaj dhunës verbale të ushtruar, ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD”, tha ai.

Bardhi kërkoi nga kolegët e tij që të distancohen publikisht.

“Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”.

Nga ana tjetër, deputeti Ervin Salianji, nga radhët e Rithemelimit tha se ish-kryetari Lulzim Basha nuk është larguar asnjë ditë dhe “po sillet si gangster me demokratët që e kanë mbështetur”.

“Langaraq me Ramën, gangster me demokratët që e mbështesin! Siç e kam paralajmëruar prej më shumë se një viti LB nuk është larguar asnjë ditë, ka përdorur truke për tu zvarritur pavarësisht se nuk ka as mbështetje, as elektorat dhe as parti!  E vetmja risi nga e djeshmja ishin pamjet e dhunshme! Pamjet me dhunë verbale, presion, shantazh dhe fyerje ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe”.

Ndërsa, Kolegji i Kryetarëve u shpreh se dënon çdo akt dhune.

“Partia Demokratike e Shqipërisë është ngritur dhe ekziston mbi sakrificën e qindra mijëra demokratëve të cilët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike”.

Sipas Kolegjit, çdo përpjekje “për ta zhbërë këtë vullnet, çdo tentativë për ta përbaltur mundin, sakrificën dhe shqetësimin e atyre demokratëve të ndershëm që kanë punuar pa u lodhur për çdo votë dhe çdo mandat të deputetëve të Partisë Demokratike, i shërben vetëm kundërshtarëve tanë politikë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore