Kosova

Arrijnë në Kosovë 556 mijë vaksina anti-COVID


Vaksina Pfizer

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Kosovë kanë arritur 556 mijë vaksina anti-COVID të kompanisë Pfizer, si donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç 503 mijëve, kanë ardhur edhe 54 mijë vaksina javore me kontratën mes Pfizerit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

‘Ministria e Shëndetësisë njofton se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë dorëzuar sot 556 920 doza të vaksinës Pfizer. Prej këtij kontigjenti, 503 100 doza janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53 820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer”, ka njoftuar MSH-ja.

Sipas këtij njoftimi të MSh-së, me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSh i ka në stok, “procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeçe sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç me indikacione mjekësore, që të vaksinohen, si mënyra më adekuate për t‘u mbrojtur dhe për të frenuar përhapjen e COVID-19”.

“Në mënyrë specifike, MSh u bën thirrje grave shtatzëna që në konsultime me gjinekologët të vaksinohen sikurse edhe nënave gji-dhënëse gjithashtu, duke qenë që nuk ka asnjë dëshmi shkencore që vaksinimi kundër COVID-19 shkakton problem për shtatzënësinë apo të lidhura me fertilitetin”.

Ndërkaq në një postim në Facebook, Departamenti i Shtetit ka thënë se dozat e dhuruara do t’ia mundësojnë Kosovës t’i mbrojë më shpejt qytetarët e saj.

“Një Kosovë e shëndetshme, e pavarur, e qëndrueshme është partnere më e fortë për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në postim.

 

Ndryshe, Kosova në total ka administruar 922.623 doza të vaksinës anti-COVID. 615.156 persona janë vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 307.467 edhe me dozën e dytë. Duke nisur nga 13 shtatori, vaksinimi do të fillojë edhe të dielave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore