Lajme

Arrestohet një person për zjarrvënie të qëllimshme në Zubin Potok


Ilustrim

Një person është arrestuar të dilenë nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimishme në një lokal në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përkatësisht në Zubin Potok, ka njoftuar Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media të dielën, ndërsa bëhet e ditur se përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar nga zjarri.

“Policia e Kosovës me datë 09.12.2023, rreth orës 23:00, është njoftuar se në afërsi të Kuvendit Komunal në Zubin Potok një lokal ka marr flakë dhe është duke u djegur. Sipas informacioneve fillestare, hetimeve preliminare policore dhe dëshmive të gjetura nga policia në vendin e ngjarjes dyshohej se zjarri është shkaktuar qëllimshëm”.

Në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet se personi i dyshuar është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, duke parandaluar përpjekjet për t’ia vënë zjarrin edhe shtëpisë së pronarit të lokalit të djegur në rrugën “Kolasinski Knjezeva” në Zubin Potok, ndërsa prokuroria ka vendosur që i dyshuari të mbahet në paraburgim dyditor.

Motivet e zjarrvënies, sipas njoftimit të organeve të rendit, dyshohet se burojnë nga një mosmarrëveshje familjare. Në shtëpinë e të dyshuarit, sipas njofimit të policisë të dielën, janë gjetur një uniformë ushtarake, një radiolidhje, dy pllaka të antiplumbit, një palë trenerka me njolla gjaku dhe 22 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore