Kosova

Arrestohen dy persona në Veri, iu konfiskohet një sasi e konsiderueshme e armëve


Dy persona janë arrestuar në një hotel afër fshatit Banjskë të Zveçanit të hënën, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elshani.

“Janë zënë me një sasi të konsiderueshme të armëve”, tha ai.

Por, ai ka shtuar se “mbetet të shihet nga hetimet nëse kanë lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës të dielën”.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiç-it, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

“Organizimi terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beograd. Nga ekspertë vendor dhe të huaj është vërtetuar se për sasi armatimi dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka të bëjë asgjë me një organizim ad-hoc, të shpejtë dhe të ditëve të fundit”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore